Gjithçka nisi nga një pasion i hershëm për muzikën dhe poezinë spanjolle. Sot, Valbona Selmani drejton Cervantes Center Albania, një qendër novatore që sjell metodat më të avancuara të mësimdhënies së gjuhës spanjolle dhe angleze. Me një karrierë 15-vjeçare në edukim dhe një master në Madrid, ajo ka krijuar një metodologji unike që ndihmon nxënësit të mësojnë më shpejt dhe më natyrshëm.

Përmes një kombinimi të teknologjisë, eksperiencës ndërkombëtare dhe një pasioni të palëkundur për gjuhët e huaja, Valbona ka sjellë në Shqipëri një mënyrë të re të të mësuarit, duke e kthyer Cervantes Center në një emër referencë. “Dija dhe kultura janë çelësi i së ardhmes,” thotë ajo, duke shtuar se për të, mësimi i një gjuhe nuk është vetëm një aftësi, por një udhëtim drejt botës.

Kush është Valbona Selmani?

A mund të na tregoni diçka më shumë mbi veten tuaj?

Jam Valbona Selmani dhe kam 15 vjet përvojë si mësuese e gjuhës spanjolle. Para 10 vitesh, hapa biznesin tim për mësimdhënien e gjuhës spanjolle dhe aktualisht drejtoj Qendrën Cervantes, e cila ofron kurse të specializuara për këtë gjuhë. Dashuria ime për gjuhën spanjolle filloi në moshën 16 vjeçare, kur isha e apasionuar pas këngëve dhe muzikës spanjolle, rimës dhe melodisë së veçantë që kishte kjo gjuhë, e cila më bëri të dashurohem me të.

Fillimisht kam studiuar në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja në Tiranë, ku studjova gjuhën spanjolle dhe ruse, dhe më pas kam vijuar studimet për gjuhën e huaj në universitet, ku përfundova bachelorin për gjuhën ruse. Pas përfundimit të studimeve, vazhdova masterin në Madrid, Spanjë, në një nga tre masterët më prestigjiozë të vendit për mësimdhënien e gjuhës spanjolle, në Universitetin Antonio de Nebrija, ku u rendita e dyta në grupin tim të masterit.

Për pesë vite kam punuar si mësuese e spanjishtes në Gjimnazin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë. Pas kësaj periudhe, kam arritur rezultate të shkëlqyera në mësimin e gjuhës ruse dhe jam dekoruar nga Ambasada Ruse në Tiranë për arritjet në këtë fushë. Flas disa gjuhë të huaja: spanjisht, anglisht, rusisht, italisht dhe maqedonisht. Kam marrë një bursë nga shteti maqedonas për të bërë praktikat e gjuhës maqedonase në Maqedoni, e cila erdhi si rezultat i lidhjeve të programeve ndëruniversitare në Tiranë.

Çfarë ke “vjedhur” nga Spanja?

Çdo qytet i Spanjës është një mrekulli dhe Spanja ka një kuptim të thellë për mua. Kam jetuar në një ambient me kulturë spanjolle, ku kam mësuar nga sjellja e madrilenasve, që është e pazakontë dhe e paharrueshme.

Pasioni im për tangon dhe poezinë spanjolle ka qenë gjithmonë një frymëzim. Siç thotë një shprehje: “Eh, çfarë do të ishte jeta pa kërcimin?” Ky pasion për muzikën dhe kërcimin, veçanërisht për muzikën spanjolle dhe vallëzimet latine si bachata, tango dhe salsa, ka shumë lidhje me shpirtin. Kërcimi është një formë arti që më lejon të shpreh shpirtin tim dhe të ndjej energji pozitive. Jam edhe spiritualiste dhe besoj në fuqinë e meditimit dhe lidhjen shpirtërore që krijohet gjatë këtij procesi. Përmes kërcimit, ne mund të largojmë energjitë negative dhe të pastrojmë shpirtin tonë. Jo vetëm që pastrimi i trupit ndodh kur kërcen, por gjithashtu energjia e shpërndarë nga njëri te tjetri është një mënyrë e fuqishme për të pastruar shpirtin. Duhet të ndjekim pasionet tona dhe të jemi të vërtetë me vetveten. Pika ime e fortë është komunikimi dhe komunikimi publik.

Si u themelua “Cervantes Center Albania” dhe çfarë e bën ndryshe?

Qendra ime është themeluar 10 vjet më parë, kur unë fillova mësimin e gjuhës spanjolle në mënyrë private me një klasë të vogël, duke pasur besimin se do të kishte persona të interesuar për të mësuar këtë gjuhë. 

Pasi u ktheva nga Masteri që mbarova në Spanjë, ku vura re që në Shqipëri nuk kishte asnjë qendër ku mund të studiohej specifikisht gjuha spanjolle, mendova se ishte një mundësi që duhet të ekzistonte në Tiranë. Kështu, vendosa të hap një qendër private për mësimin e spanjishtes. Kjo ide erdhi pas përgatitjes që kisha marrë dhe pasionit të madh që kisha për të shpërndarë dijen dhe kulturën që kisha mësuar në Spanjë.

Përse dikush duhet të zgjedhë “Cervantes Center Albania”?

Profesionalizmi, metodat avantgarde, si dhe mirësjellja dhe komunikimi janë ato që krijojnë diferencën në pjesën tjetër të tregut. Qendra jonë ndodhet vetëm 5 minuta larg qendrës së Tiranës, në kompleksin Panorama, pranë shkollës Harry Fultz. Ora e mësimit dhe ambienti që kemi krijuar janë komod, të relaksuar dhe frymëzuese. I japim shumë rëndësi të ndjerit komod dhe të relaksuar gjatë orëve të mësimit, si dhe motivimit të vazhdueshëm të kursantëve. Kohët e fundit, kemi përfshirë dhe teknologjinë – duke sjellë metodat edhe në mënyrë dixhitale përmes platformave online. Kombinimi i mësimit klasik me teknologjinë e fundit ka sjellë rezultatet maksimale dhe më të mira që kemi marrë gjatë viteve.

Ne zhvillojmë kurse në tri forma: 1) Fizikisht në Qendër; 2) Online; 3) Mësim personal sipas kërkesave. Ky diversifikim i mundësive për mësim është një hap përpara për t'u siguruar që çdo individ, pavarësisht mundësive ekonomike të tij, ka mundësinë të zhvillojë aftësitë e tij në gjuhë të huaja.

Për personat që duan të mësojnë disa dije të përgjithshme, ne ofrojmë orë falas që mbahen çdo muaj, të dizajnuara për ata që duan të mësojnë për hobi. Për ata që dëshirojnë të arrijnë një nivel mesatar, ne ofrojmë paketa me video-leksione dhe metoda audio-vizuale. Ndërsa për ata që duan të arrijnë një nivel të mirë komunikimi me shkrim dhe gojë për arsye specifike, rekomandohen video-leksionet plus mbështetje nga mësuesi, që siguron një mësim më të detajuar dhe personalizuar.

Cila ka qenë pjesa më e vështirë në rrugëtimin tuaj si sipërmarrëse?

Gruaja në biznes ka qenë historikisht jashtë habitatit të saj, por ndryshimet sociale dhe kohët që kanë kaluar kërkojnë që ajo të bëhet pjesë e botës së biznesit. Është e vështirë të jesh grua në biznes dhe kjo është një tendencë që shkon drejt të pamundurës. Duke iu drejtuar fjalëve të Cervantesit, mund të them se kam përpjekur të arrij të pamundurën. Më shumë se katër vite më parë, kam menduar të sjell mësimdhënien e gjuhës spanjolle përmes teknologjisë. Edhe pse tani mund të duket si një koncept i pranueshëm – mësimi i gjuhës pa mësues – para katër viteve kjo ishte një ide që as që mund të konceptohej. Kështu lindi ideja për të sjellë në Shqipëri një metodë të re për mësimin e gjuhëve të huaja, një metodë që u quajt Metoda EEA – Spanjishtja në Ajër.

Cili është qëllimi yt si një grua në biznes?

Si një grua biznesi, kam si qëllim që përmes shërbimeve që ofroj të përmirësoj sa më shumë jetën e shqiptarëve. Si mund ta bëj këtë? Duke shpërndarë sa më shumë dije. Shpirti dhe dija janë një tërësi. Si mund të fillojmë ndryshimin nga vetja? Në spanjisht ka një shprehje: "Si mund të sjell kokrrizën e trurit/dijes tim", ose siç ka thënë dhe Nënë Tereza: "Nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe."

Do të dëshiroja shumë nga zemra që edhe ne, si shqiptarë, ta donim edhe më shumë dijen dhe kulturën. Dija dhe shpirti janë të lidhur. Duke hedhur dije, kemi mundësinë të arrijmë një paqe më të madhe shpirtërore. Dija nuk është një produkt që mund të shitet. Ajo nuk është për t’u shitur. Biznesi është mirëqenie, dhe dija është pjesë e shpirtit. Synojmë të ndërthurim mirëqenien me shpirtin.

Si e ekuilibroni pjesën e ëndrrës dhe pasionit me atë të biznesit?

Ëndrra është e ëmbël dhe e butë, pasioni është i fuqishëm dhe i përflakur në energji, ndërsa biznesi dinamik dhe agresiv.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Ne synojmë të zgjerojmë më tej qasjen tonë, duke integruar më shumë teknologji dhe metoda inovative. Po punojmë që në të ardhmen, aftësitë që do të zhvillohen në kurse të ndryshme, si meditimi për përmirësimin e vetëvetes dhe përmirësimi i marrëdhënieve ndërpersonale, do të kontribuojnë ndjeshëm në rritjen personale dhe profesionale. Po ashtu, zhvillimi i kurseve në fushat e biznesit, komunikimit, artit dhe kulturës do të ofrojë mundësi të reja për të rritur kapacitetet dhe për të ndihmuar individët të arrijnë potencialin e tyre maksimal.

Plani për udhëtime në Spanjë për praktikuar gjuhën është një hap i shkëlqyer për të ndihmuar kursantët të përvetësojnë më mirë spanjishten dhe të përjetojnë kulturën autentike të vendit. Kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyer për ata që duan të thellojnë njohuritë e tyre dhe të përmirësojnë aftësitë gjuhësore.

Nëse do ta përshkruanit veten me tre fjalë, cilat do të ishin ato?

Pasion, përkushtim dhe inovacion.