"Për herë të parë jam bërë aksionerja kryesore e Chiara Ferragni Brand.” Pas muajsh plot zëra, supozime, akuza dhe tensione, sipërmarrësja dixhitale Chiara Ferragni rikthehet të flasë hapur për çështjet e saj të biznesit, të cilat janë dëmtuar ndjeshëm nga pasojat e skandalit të Pandoro Gate. Dhe, si gjithmonë, zgjedh ta bëjë këtë në ambientin e saj të natyrshëm – rrjetet sociale.

Komunikimi është i shkurtër në përmbajtje, por si shpeshherë, i pasur në ndjesi dhe emocione.

“Urime Chiara! Të njoftoj se që nga ky moment zotëron 99% të shoqërisë që mban markën tënde,” – lexohet në një mesazh në WhatsApp, që ajo e ka ndarë vetë në Instagram. Dërguesi nuk identifikohet, por me shumë gjasa është një avokat ose këshilltar që e ka ndihmuar në këtë proces.

Ferragni zgjedh të mos e shpjegojë operacionin në detaje, por të ndajë prapaskenën emocionale:

“Nuk është vetëm çështje kuotash apo përqindjesh: është një fillim. Kjo vendimmarrje është një hap konkret. Është zgjedhja për të marrë përsëri në dorë historinë time, pa ia deleguar të tjerëve, pa bërë më sikur gjithçka është në rregull kur nuk është. Është të marrësh përgjegjësinë dhe bukurinë e të udhëhequrit, të vendosurit, të ndryshuarit.”

Kjo është ndoshta hera e parë që Ferragni pranon hapur “goditjen” që ka pësuar biznesi i saj që nga momenti kur perandoria e saj filloi të shpërbëhej pas një gjobe të rëndë dhe më pas hetimit për mashtrim të rënduar, për shkak të skandalit të bamirësisë së rreme të lidhur me pandoron Balocco.

Ndërkohë, stafi i kompanive të saj është shkurtuar dhe një nga dyqanet më të rëndësishme – ai në Milano – është mbyllur.

“Është hera e parë që ndihem e lirë për të çuar përpara markën time dhe emrin tim. Nuk dua të tregoj një përrallë – përrallat nuk ekzistojnë. Por e di që po përpiqem të ndërtoj diçka të re. Me mund, kthjelltësi dhe përgjegjësi. Nuk do t’ju tregoj një rilindje perfekte – as vetë nuk po arrij ta përjetoj. Do t’ju tregoj realitetin: me ulje dhe ngritje, të papërsosur, timin. Dhe ky është i vetmi vend nga ku mund të nisësh.”

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Chiara Ferragni ? (@chiaraferragni)

Detajet specifike të operacionit që e çoi Ferragni-n drejt kontrollit të shumicës në kompani nuk janë bërë ende publike.

E sigurt është që Chiara Ferragni Brand është marka që lidhet me produktet që mbajnë logon e saj (veshje, kozmetikë, bizhuteri), dhe menaxhohet nga kompania Fenice Srl, e cila zotëron të drejtat mbi markën Chiara Ferragni.

Përveç Fenice-s, Ferragni është pronare e një “mini-perandorie” biznesi të organizuar përmes holdingut të saj, Sisterhood, që ka nën kontroll tre shoqëri kryesore:

-Fenice Srl,

-TBS Crew Srl, dhe

-Ferragni Enterprise, ku edhe nëna e Chiara-s, shkrimtarja Marina Di Guardo, ka një kuotë të vogël.
Kjo e fundit merret me menaxhimin e pasurisë së paluajtshme të Ferragni-t.

Fenice është kompania që ka përjetuar më shumë tronditje kohët e fundit.

Claudio Roberto Calabi është emëruar si administrator i vetëm, pasi presidenti Paolo Barletta dhe vetë Chiara Ferragni janë tërhequr nga drejtimi.