DriesVanNoten, një nga emrat legjendarë të grupit "Antwerp Six", njihet për printet e tij eklektike, pëlhurat luksoze dhe koleksionet e menduara thellë, shpeshherë poetike. Tani që vetë Dries është tërhequr nga pozicioni i drejtorit kreativ, marka ka hyrë në një fazë të re nën drejtimin e Julian Klausner.

Si pjesë e kësaj strategjie të re, marka ka nisur të hapë dyqane të reja në mbarë botën — dhe ato nuk janë aspak të zakonshme.

Dyqani i ri flaghship në SoHo, Nju Jork, ndodhet në adresën 168 Mercer Street dhe u hap vetëm disa ditë më parë, pas një kërkimi 15-vjeçar për hapësirën e përsosur. Me një hapësirë të ngushtë por mbresëlënëse — rreth 6 metra i gjerë, 30 metra i thellë dhe 7 metra i lartë — dyqani përfshin gjithashtu një bodrum me tavan të lartë të dedikuar për veshjet e meshkujve. Brenda, dizajni ndërthur mobilje antike dhe vepra arti të kuruara me kujdes, përfshirë piktura nga shekulli i 16-të, një palë shandanë nga koleksioni i Iris Apfel dhe instalacione nga artisti belg Ben Storms.

Ndërkohë, dyqani flagship në Hanover Square, Mayfair – Londër, është dyqani i parë i markës në Mbretërinë e Bashkuar. I vendosur në një ish-ndërtesë banke të Barclays, e klasifikuar si monument historik Grade II, hapësira ruan shumë nga veçoritë origjinale arkitekturore, të kombinuara me elementë bashkëkohorë. Brenda, veprat e artistëve britanikë si David Hockney dhe Tracey Emin krijojnë një atmosferë tërësisht angleze, por gjithmonë me prekje karakteristike të estetikës së Dries Van Noten.

Me këto hapje të reja, marka nuk po zgjeron vetëm praninë e saj fizike — po ngulit gjithashtu një qasje të re estetike dhe kulturore, duke përforcuar trashëgiminë që Dries ka ndërtuar për dekada.