Amal Alamuddin Clooney, avokatja e njohur për të drejtat e njeriut dhe bashkëshortja e aktorit George Clooney, mund të përballet së shpejti me ndalim hyrjeje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vend ku ajo banon me familjen.

Sipas Financial Times, Ministria e Jashtme britanike ka paralajmëruar disa avokatë me shtetësi britanike, që jetojnë në SHBA, për rrezikun e sanksioneve të mundshme nga administrata e Donald Trump. Në mesin e tyre është edhe Amal Alamuddin. Shkaku? Ajo ka qenë pjesë e ekipit ligjor që ka bashkëpunuar me prokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan, për lëshimin e mandatit të arrestit ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të mbrojtjes Yoav Gallant, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Amal e ka mbrojtur hapur përfshirjen e saj në këtë proces, duke deklaruar:

“Kam qenë pjesë e këtij grupi sepse besoj në sundimin e ligjit dhe në nevojën për të mbrojtur jetën e civilëve. Si avokate për të drejtat e njeriut, nuk do të pranoj kurrë që jeta e një fëmije të vlejë më pak se e një tjetri.”

Nëse SHBA vendos ta sanksionojë, përveç ndalimit të hyrjes, Alamuddin mund të përballet edhe me bllokimin e pasurive dhe llogarive të saj bankare në SHBA. Kjo nuk do të përfshinte pronën që ajo dhe George Clooney zotërojnë në Britani, pranë lumit Thames, ku ndodhet dhe studioja e saj ligjore.

Përkushtimi i Amal për çështjet humanitare nuk është i ri. Pas diplomimit në Oxford, ajo ka punuar në firmën e specializuar për të drejtat e njeriut Doughty Street Chambers dhe ka bashkëpunuar me OKB-në në çështje të drejtësisë ndërkombëtare. Ajo ka mbrojtur viktima të abuzimeve dhe dhunës seksuale në zona konflikti, nga Afrika në Ukrainë.

Megjithëse lajmi ka bërë bujë, nuk është krejtësisht befasues. Në shkurt 2025, Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për sanksione ndaj prokurorit Khan, duke paralajmëruar se të tjerë të përfshirë në hetim, si Amal, mund të ndëshkohen gjithashtu.

Kujtojmë se marrëdhëniet mes çiftit Clooney dhe ish-presidentit Trump kanë qenë të tensionuara. George Clooney e ka kritikuar shpesh Trumpin, duke e akuzuar për shtypje të lirisë së mediave, ndërsa ky i fundit e ka quajtur aktorin “një yll të dorës së dytë dhe analist politik të dështuar”.

Amal nuk ka bërë ende ndonjë deklaratë të re publike, por qëndrimi i saj është i qartë:

“Nuk pranoj që një konflikt të jetë jashtë juridiksionit të ligjit apo që një i akuzuar të jetë mbi ligjin.”

Në listën e avokatëve të tjerë që mund të preken nga sanksionet janë edhe ish-gjyqtari Adrian Fulford, baronesha Helena Kennedy dhe avokati Danny Friedman nga studioja Matrix Chambers.