Një deklaratë spontane e Presidentit amerikan Donald Trump ka shkaktuar polemika të reja në rrjet. Gjatë një interviste të fundit radiofonike nga bordi i Air Force One, gjatë udhëtimit drejt Romës për të marrë pjesë në funeralin e Papa Françeskut, Trump pranoi se nuk i kishte blerë një dhuratë ditëlindjeje gruas së tij, Melania Trump, e cila më 26 prill mbushi 55 vjeç.
“Nuk pata kohë të blej një dhuratë për Melanian,” – u shpreh Trump, duke shtuar me një ton të sigurt: “Por është në rregull kështu.”
Këto fjalë u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, veçanërisht pas publikimit të një postimi në platformën X. Reagimet nuk munguan: një pjesë e përdoruesve kritikuan Trumpin për mungesë romantizmi dhe vëmendjeje ndaj bashkëshortes së tij, ndërsa të tjerë e interpretuan me ironi si një tjetër shembull të “sinqeritetit brutal” që e karakterizon.
Ndërkohë, ka pasur edhe nga ata që e lexuan këtë episod si një shenjë të ftohjes mes çiftit, ndërsa shumë të tjerë e cilësuan thjesht si një sjellje tipike të Trumpit – një figurë që shpesh polarizon opinionin publik edhe për gjëra të vogla.
Melania Trump, nga ana tjetër, ka zgjedhur të mos komentojë dhe ka ruajtur heshtjen që e karakterizon në raste të tilla. Për momentin, ajo nuk ka dhënë asnjë reagim publik lidhur me “dhuratën e munguar”.
Duket se edhe një datë personale si ditëlindja e Zonjës së Parë nuk i shpëton vëmendjes së mediave dhe rrjeteve sociale kur në qendër është Donald Trump.