Mes batutave dhe episodeve komike me gazetarë e vegjël “Në Kurthin e Piter Pan” në Tv Klan, gazetarja Aulona Musta ndau me publikun pak nga jeta e saj. Të gjithë kemi një lidhje shumë të fortë me gjyshërit, por ajo raportin e ngushtë me gjyshen e saj të ndjerë, e lidh me një periudhë shumë të vështirë të jetës së saj.

Me sytë e përlotur, tregon që në fëmijëri ka kaluar një sëmundje shumë të rëndë dhe ka qëndruar më shumë se një muaj në spital. Në këtë kohë të vështirë për të ka qenë pikërisht gjyshja ajo që i shkonte çdo mbrëmje tek spitali, i qëndronte tek koka e krevatit dhe i dha dashurinë e kurajon që t’ia dilte mbanë.  

“Kur kam qenë e vogël kam kaluar një sëmundje të rëndë, goxha të rëndë, ku mjekët i kanë thënë mamit tim që është mrekulli që Aulona është në jetë dhe për një muaj, një muaj e pak kam ndenjur në spital. Çdo darkë nëna vinte atje që rrinte me mua që të mos isha vetëm. Sot e kësaj dite kam atë imazhin e saj që e shikoja kur isha e shtrirë dhe ajo futej tej dera dhe sot ajo që nuk jeton më, u bënë shumë vite, ia ndjej mungesën në mënyrë të jashtëzakonshme.

Kam fatin e madh, që kam ende në jetë nënën tjetër, gjyshen nga ana e babit të cilën e dua dhe e përshëndes shumë. Ajo ka jetuar larg, ka qenë në Vlorë prandaj nuk kemi qenë gjatë gjithë kohës. Por, dua t’u them fëmijëve që jeni me fat që keni gjyshërit në jetën tuaj dhe është dhurata më e bukur”, tha Aulona Musta.