Në një rrëfim të sinqertë në “Inspire” Akil Kraja foli për zgjedhjen e tij për t’u kthyer në Shqipëri pas një karriere të gjatë në organizata ndërkombëtare. Kraja theksoi se për të, puna për vendin nuk është vetëm një detyrë morale, por një ndjenjë e thellë krenarie dhe përkushtimi. Ai rrëfeu se vendimi për të lënë rehatinë e jetës jashtë dhe për të hyrë në realitetin kompleks shqiptar, lindi nga një thirrje e brendshme për të ndihmuar në ndërtimin e një Shqipërie më të mirë.

“Ndihesha se po kontribuoja për të tjerët, por jo për vendin tim”, thotë Kraja. Ai shpjegoi se erdhi momenti ku karriera jashtë nuk e përmbushte më, sepse mungonte lidhja emocionale që vetëm Shqipëria mund t’ia jepte. Për të, kthimi ishte një rikthim te vetvetja, një përpjekje për të përputhur profesionin me idealet personale.

Kraja foli edhe për përballjen me sfidat e sistemit shqiptar, që shpesh pengon individët me integritet dhe vizion të japin ndihmesën e tyre. Megjithatë, ai mbetet optimist. “Pavarësisht pengesave, ka shumë shqiptarë të mirë që duan të ndërtojnë. Na duhet një lëvizje kolektive”, theksoi ai.