Pas një karriere në Gjenevë dhe përvojës në strukturat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Akil Kraja zgjodhi të rikthehej në Shqipëri, një vendim që për shumëkënd mund të dukej i pazakontë. Por për të, kjo ishte një zgjedhje e natyrshme, e nxitur nga ndjenja e përgjegjësisë qytetare dhe e mungesës së zërit të brendshëm në jetën jashtë kufijve.
Në “Inspire”, Kraja ndalet tek ndjesia e boshllëkut që nisi ta shoqëronte në jetën ndërkombëtare. “Isha i angazhuar në politika globale, por çdo ditë pyesja veten pse nuk po bëja diçka për vendin tim,” tregon ai. Ai ndan dilemat e brendshme që kaloi përpara se të merrte vendimin për t’u rikthyer në Tiranë.
Ky kthim nuk ishte i lehtë. Ai rrëfen se përballja me realitetin shqiptar, nga mentaliteti i administratës deri te sistemi i vjetëruar i politikës, kërkoi durim dhe vullnet. “Por vetëm duke qenë këtu mund të kuptosh vërtet sa shumë ka nevojë Shqipëria për njerëz që s’e kanë humbur shpresën,” thotë ai.
Duke e parë kthimin si akt të vetëdijshëm dhe jo sakrificë, Kraja i bën thirrje bashkëmoshatarëve të tij që të mos presin “momentin e përsosur” për të kthyer sytë nga Shqipëria, por të ndërtojnë momentin e duhur vetë, përmes angazhimit dhe veprimit.