Sunny Hill Festival ka zbuluar artisten e parë ndërkombëtare që do të performojë në edicionin e vitit 2025: DJ dhe producentja koreano-jugore Peggy Gou. E njohur për setet e saj energjike dhe hitet që kanë pushtuar skenat më të mëdha botërore, Gou do të jetë një nga gjashtë emrat kryesorë të festivalit që do të mbahet nga 1 deri më 3 gusht në Prishtinë.
Organizatorët kanë njoftuar se edicioni i këtij viti do të sjellë rreth 60 artistë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë performanca në skenën C4, e cila është zgjeruar dhe përmirësuar për të ofruar një përvojë vizuale më të veçantë për publikun. Kjo skenë, e emërtuar si nderim për hyrjen e ndërtesës në Ulpianë ku ka jetuar familja Lipa, do të presë performancën e shumëpritur të Peggy Gou.
Peggy Gou ka fituar famë globale me këngë si “(It Goes Like) Nanana”, “It Makes You Forget (Itgehane)” dhe “Starry Night”, duke krijuar një identitet unik që ndërthur kulturën aziatike me ritmet bashkëkohore të house dhe techno. Performanca e saj në Sunny Hill Festival pritet të jetë një nga momentet kulmore të këtij edicioni, duke i dhënë festivalit një tjetër dimension ndërkombëtar dhe duke forcuar më tej statusin e tij si një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në rajon.
View this post on Instagram