Këngëtari dhe ish-banori i “Big Brother VIP Albania 4”, Kelly, ka ndarë një rrëfim të ndjerë në emisionin “S’e luan Topi”, ku foli për periudhën e vështirë të jetës së tij, përfshirë abuzimin me substanca narkotike dhe humbjen e babait të tij.
Ai tregoi se babai i tij ishte një nga mbështetësit më të mëdhenj të karrierës së tij muzikore, duke marrë edhe kredi për të financuar projektet e tij. “Ka qenë një nga mbështetësit e mi më të zjarrtë. Mori kredi që unë të realizoja një këngë. Ndoshta nuk e shprehte, por gjithmonë e ndieja atë energjinë që ishte shumë krenar,” tha Kelly.
Kelly shprehu keqardhjen që babai i tij nuk arriti të shihte nipin e tij, Liamin, pasi ndërroi jetë para lindjes së tij. Ai rrëfeu se ka kaluar katër muaj duke fjetur me babain në spital, ndërkohë që gruaja e tij ishte shtatzënë.
“Do të jepja gjithçka që të kaloja vetëm pesë minuta me të, të bisedoja si burri burrit, si prindi prindit,” shtoi ai.
Kelly gjithashtu foli për periudhën kur kishte abuzuar me substanca narkotike, duke theksuar se ndjen keqardhje për dhimbjen që i ka shkaktuar familjes së tij. “Si çdo fëmijë, bën ato prapësitë e veta, i mërzit prindërit,” tha ai.