Pas katër muajsh intensitet, emocione dhe përplasje të forta në Big Brother VIP Albania, dy nga figurat më të komentuara të këtij edicioni, Gerta dhe Rozana, duket se po përgatiten për një rikthim të bujshëm, këtë herë, në të njëjtin krah të ekranit.

Në shtëpinë më të famshme në vend, ato ishin si nata me ditën, dy pole të kundërta që nuk kursyen as batutat, as akuzat, e as tensionin. Nga përplasjet për lojën brenda, deri tek referencat për jetën jashtë, marrëdhënia e tyre mbeti shpesh në fokusin e publikut. Por mesa duket, televizioni i do kontrastet... dhe i di mirë se si t’i shndërrojë në show.

Burime pranë Top Channel kanë konfirmuar për 'Prive' se për sezonin e ri televiziv, që nis në shtator, janë duke u diskutuar projekte të reja ku të dyja vajzat mund të jenë pjesë e kastit kryesor. Jo vetëm kaq, por emri i një emisioni të ri argëtues është tashmë në tryezën e drejtuesve, dhe Gerta me Rozanën përfliten si një dyshe potenciale.

A do ta ruajnë tensionin e njohur nga BBVA, por ta transformojnë në një energji dinamike televizive? Apo ndoshta, për herë të parë, do të shohim një Gerta dhe një Rozanë që bashkëpunojnë për të argëtuar publikun, jo për të sfiduar njëra-tjetrën?