Xheneta Fetahu ka reaguar në rrjetet sociale pas vendimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për të përmbyllur rastin e ankesës së Drilon Ramës, për publikimin e përgjimeve telefonike që bëri ish-banorja para disa muajsh.

Në një reagim ironik dhe thumbues në Instagram, ajo e ka quajtur Drilonin “fitues i shpikur i BBV-së” dhe e ka akuzuar për “dramë plastike” dhe përpjekje për të rikthyer vëmendjen.

“Fituesi i shpikur i BBV, që tregonte gishtin e mesit prej plastike – sot u përplas me realitetin prej letre. Ankesa për privatësi? Vetë kishte dhënë pëlqimin për publikim.Institucioni zyrtar e tha troç: ‘S’ka shkelje. S’ka hetim. Rasti? Pa bazë’. Pra, ai që s’kishte çka me thanë – e mbushi skenën me drama plastike. Po tash që vendimi erdhi..  A thua gishtin ku do ta fus sonte?”, shkroi ish-banorja e BBVK-s në postimin e saj.

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka përfunduar zyrtarisht shqyrtimin e ankesës së Drilon Ramës ndaj Xheneta Fetahut, pas publikimit të bisedave private nga kjo e fundit në rrjetet sociale. Dokumentet e publikuara nga organi mbikëqyrës dhe të raportuara nga Insajderi tregojnë se procedura administrative është mbyllur pa masa ndëshkuese ndaj Xhenetës.

Ngjarja nisi dy muaj më parë, kur Xheneta publikoi disa biseda telefonike me fituesin e edicionit të dytë të “Big Brother VIP Kosova”, të cilat shkaktuan reagime të shumta dhe tronditën perceptimin publik për Drilonin. Në përgjigje, ky i fundit depozitoi një ankesë pranë AIP-së, duke pretenduar shkelje të privatësisë.

Sipas AIP-së, gjatë hetimit është zhvilluar një takim me Xhenetën, e cila ka deklaruar se publikimi i përgjimeve ishte një reagim ndaj shqetësimeve të vazhdueshme nga Driloni, dhe se ai ishte paralajmëruar paraprakisht se bisedat po regjistroheshin.

Në dokumentin përfundimtar, Agjencia thekson se incizimet tashmë janë fshirë nga platformat sociale, dhe se nuk ka nevojë për masa të tjera, duke konsideruar se qëllimi i ankesës – heqja e përmbajtjes – është përmbushur.

“Nuk lejohet ankesë administrative ndaj këtij vendimi, por pala e pakënaqur mund të paraqesë kërkesë për konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë, brenda 30 ditësh,” – thekson vendimi.