Pas vendimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), që mbylli procedurën administrative ndaj Xheneta Fetahut lidhur me publikimin e përgjimeve telefonike me Drilon Ramën, ka ardhur një reagim i fortë nga avokatja e boksierit, Bederie Berisha Rexhepi.
Në një postim publik në rrjetet sociale, avokatja theksoi se vendimi në asnjë mënyrë nuk përfaqëson një “fitore” për Xheneta Fetahun. Përkundrazi, ajo thekson se vendimi e cilëson atë si kontrolluese të të dhënave personale, çka përbën, sipas saj, një përgjegjësi serioze ligjore.
“Ky vendim, në asnjë mënyrë, nuk përbën ‘fitore’ për znj. Xheneta Fetahu. Përkundrazi, ai e përcakton atë si kontrolluese të të dhënave personale që ajo vetë ka pranuar se i ka incizuar dhe ka kërcënuar publikisht me publikimin e tyre – veprime që përbëjnë cenim të rëndë të integritetit personal dhe të privatësisë së z. Drilon Rama,” – shkruan Rexhepi.
Ajo shton se Agjencia ka theksuar në vendim se znj. Fetahu është informuar për bazën ligjore të nevojshme për publikimin e çdo materiali të tillë, të cilën – sipas saj – nuk e ka ofruar, si dhe për pasojat ligjore që mund të pasojnë nëse përsërit publikime të tilla.
“Në asnjë pjesë të këtij vendimi nuk konstatohet se znj. Fetahu ka vepruar në përputhje me ligjin. Përkundrazi, fakti që ajo trajtohet si kontrolluese e të dhënave përforcon dyshimet mbi keqpërdorimin dhe kërcënimin e mundshëm për publikim të këtyre të dhënave,” – shtoi më tej avokatja.
Duke u shprehur se klienti i saj, Drilon Rama, është i vendosur të ndjekë të gjitha rrugët ligjore në mbrojtje të privatësisë dhe dinjitetit të tij, Rexhepi përmbyll reagimin duke kujtuar se këto të drejta janë të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.