Revista prestigjioze italiane Gambero Rosso ka shkruar së fundmi për restorantin shqiptar The Crown Tirana, duke e cilësuar si një simbol të ekselencës në shërbim dhe cilësi. Në artikullin e saj, revista thekson se ky është “restoranti më i mirë fine dining në Shqipëri” dhe e vendos atë në një nivel të krahasueshëm me standardet më të larta evropiane në fushën e mikpritjes dhe gastronomisë.

Sipas Gambero Rosso, restoranti ndodhet në një ndërtesë historike të vitit 1918 në zemër të Tiranës, që më vonë kaloi në pronësi të Princeshës Adile Zogu. Kjo trashëgimi arkitekturore është kthyer në një hapësirë elegante ku luksi dhe historia bashkohen në mënyrë harmonike për të ofruar një përvojë unike.

Revista i kushton një vëmendje të veçantë drejtuesit të këtij projekti, CEO Fatjon Selimaj, një profesionist me më shumë se 25 vite përvojë në industrinë ndërkombëtare të mikpritjes. Ai përshkruhet si njeriu që ka ditur të krijojë një standard të ri në skenën shqiptare të gastronomisë, duke e kthyer The Crown jo vetëm në një destinacion për ushqim cilësor, por edhe në një ambasador të vlerave kulinare shqiptare dhe mesdhetare.

Në qendër të eksperiencës kulinare, shkruan Gambero Rosso, qëndron Chef Ekzekutiv Albi Subashi, i cili vjen me përvojë nga kuzhinat me yll Michelin në Belgjikë. Menuja që ofrohet është sezonale dhe përbëhet nga 11 pjata të rafinuara, të cilat ndërtohen mbi përbërës të freskët dhe të zgjedhur me kujdes, ndërsa buka, pasta dhe ëmbëlsirat përgatiten të gjitha në restorant.

Revista italiane veçon gjithashtu faktin që The Crown Tirana nuk është vetëm një vend për darka të sofistikuara, por ofron edhe mëngjese të personalizuara, brunch-e të njohura në kryeqytet, si dhe mbrëmje të paharrueshme në tarracën me pamje panoramike të Tiranës.

Artikulli përmend edhe klientelën ekskluzive që ka zgjedhur këtë vend, mes të cilëve emra të njohur si Dua Lipa, Ghali apo Elhaida Dani. Më tej, përmendet edhe nderimi që restoranti ka marrë me çmimin “Cravatino d’Oro” nga AMIRA Italia, si një shenjë e vlerësimit për standardet e larta në shërbim.

Një tjetër element i rëndësishëm që Gambero Rosso e veçon është krijimi i The Crown Hospitality Academy, një institut profesional i themeluar nga vetë kompania, që synon të trajnojë brezin e ardhshëm të profesionistëve në fushën e mikpritjes, në bashkëpunim me shoqatën italiane AMIRA.

Përmes këtij artikulli, revista italiane konfirmon atë që shumë tashmë e dinë: The Crown Tirana është një nga perlat e reja të gastronomisë në Europën Juglindore dhe një dëshmi e qartë që Shqipëria ka zë dhe vend në hartën ndërkombëtare të kuzhinës cilësore.