Rihanna dhe A$AP Rocky, të cilët së fundmi konfirmuan se janë në pritje të fëmijës së tyre të tretë, po mendojnë tashmë për zgjerimin e mëtejshëm të familjes së tyre. Gjatë një interviste më 6 maj, këngëtarja Ciara, pas një takimi me çiftin në Met Gala 2025, zbuloi se ata janë duke diskutuar për mundësinë e një fëmije të katërt. Ciara, e cila ka katër fëmijë, tha se gjatë bisedës me Rihanna dhe A$AP Rocky, ata folën me humor për “quatro”, duke shtuar se Rihanna duhet të kalojë fillimisht përmes “tres”, pra fëmijës së tretë.
Rihanna ka shprehur më parë dëshirën për të pasur një familje të madhe, duke thënë se është e hapur për aq fëmijë sa “Zoti dëshiron që ajo të ketë”. Ajo dhe A$AP Rocky tashmë janë prindër të dy djemve: RZA, 2 vjeç, dhe Riot, 22 muajsh. Çifti ka shprehur dëshirën që fëmijët e tyre të jenë afër në moshë, për të ndërtuar një lidhje të fortë vëllazërore.
Pavarësisht shtatzënisë së saj të tretë, Rihanna ka siguruar fansat se albumi i saj i shumëpritur, i titulluar përkohësisht “R9”, nuk do të vonohet më tej, megjithëse disa projekte të videove muzikore mund të shtyhen.
Ndërkohë, fansat kanë spekuluar se Rihanna mund të jetë në pritje të binjakëve, pas një komenti të saj në tapetin e kuq të Met Gala-s, ku ajo duket se tha “I brought the kids” (“I solla fëmijët”), duke nxitur diskutime në rrjetet sociale. Megjithatë, nuk ka pasur një konfirmim zyrtar për këtë.