Në një artikull që ka bërë xhiron e rrjetit, prestigjiozja The Guardian ka vlerësuar Dua Lipën si një nga intervistueset më të mira letrare të momentit. Mes lavdërimeve për zgjuarsinë, ndjeshmërinë dhe përgatitjen e saj të thellë, artikulli thekson se artistja shqiptare po shndërrohet në një figurë të veçantë në botën e librit – ndryshe nga çdo tjetër yll i pop-it. E njohur për hitet ndërkombëtare dhe bashkëpunimet me ikonat e modës, Lipa po surprizon botën me mënyrën se si lexon, pyet dhe e trajton letërsinë me seriozitetin e një kritike të vërtetë.
"Dua Lipa është, pa diskutim, e talentuar në shumë drejtime. Ajo këndon, kërcen, shkruan dhjetëra këngë dhe ka bashkëpunuar me Donatella Versace për një koleksion mode. Por, nëse dikush do t’ju thoshte se ajo ka dalë “fituese” në një garë të stilit Mortal Kombat për intervistuesen më të mirë letrare të momentit, ndoshta do të mendonit se kanë marrë tekstin e këngës Hallucinate shumë seriozisht.
Megjithatë, pikërisht kjo ka ndodhur, në një video që ka marrë mbi një milion shikime në pak javë në YouTube. Dhe argumenti që paraqet është… habitshëm bindës. “Po kërkoja materiale për një ese video mbi cilësinë e intervistave letrare në media të ndryshme,” thotë autori Blake Lefray, krijuesi i kanalit. Ai hasi në intervistën e Duas me fituesin e Pulitzer-it, Hernan Diaz, autor i romanit Trust, dhe mbeti i mahnitur.
Edhe pse e kishte parë Diaz të intervistuar shumë herë nga gazetarë dhe prezantues televizivë, Lefray thotë se intervista e Duas ishte “pa diskutim më e mira”. “Në fillim m’u duk ide absurde ta quaja Dua Lipën intervistuesen më të mirë të romancierëve, por sa më shumë i ndoqa bisedat e saj, aq më shumë e kuptova që ajo pyet me zgjuarsi, ndjeshmëri dhe kuriozitet të sinqertë.”
Përtej ekzagjerimeve që mund të tingëllojnë në letër, sapo ndjek disa intervista të saj, kupton që ka diçka ndryshe nga shfaqjet e zakonshme promovuese. Në intervistën me Diaz, Lipa pyet nëse një nga personazhet e tij është frymëzuar nga një gazetare investigative që dikur kontribuoi në shkatërrimin e Standard Oil Trust. Diaz, që nuk kishte dëgjuar për të më parë, mbeti i befasuar. Në një tjetër bisedë me fituesen e Nobelit, Olga Tokarczuk, shfaqet një diskutim i gjatë për rëndësinë e William Blake si një figurë anti-sistem në Poloninë komuniste. Ndërsa me George Saunders, autorin e Lincoln in the Bardo, biseda shkon drejt procesit krijues dhe vetëdijes për të mos gjykuar versionin e parë të një vepre — madje edhe Saunders e pyet Duan sesi ndihej teksa performonte në Glastonbury.
Këto lloj bisedash janë të rralla në intervistat televizive të zakonshme. Në “late-night shows”, pyetjet janë shpesh të lehta – Jimmy Fallon zakonisht e nis me diçka si “Si ndihesh që libri yt po shet kaq shumë?”, ndërsa Seth Meyers ka pyetur Diaz-in për… stilolapsin me të cilin shkruan me dorë. Në emisione si ato të Lorraine Kelly apo Angela Rippon, koha është aq e shkurtër sa mezi ka vend për më shumë se titullin e librit.
Podcastet dhe festivalet e librave janë alternativa më të mira, por, siç thotë edhe Lefray, janë shumë të paqëndrueshme në cilësi. Ndërsa Dua Lipa duket konsistente: përgatitur, e lexuar dhe përfshirëse.
Cili është sekreti i saj? Së pari, Dua Lipa lexon shumë. Në një fjalim gjatë çmimit Booker më 2022, ajo përmendi se si kishte zbuluar shpirtin e rezistencës shqiptare përmes veprës së Ismail Kadaresë në adoleshencë. Intervistat e saj janë pjesë e klubit të librit që drejton në platformën e saj Service95. Edhe pse mund të duket si një strategji marketingu, Lipa kishte nisur një klub librash me miqtë e saj që në vitin 2019 dhe kishte ndarë rekomandime letrare në Instagram shumë përpara krijimit të faqes.
Biblioteka e saj personale, shpesh e dukshme në intervista, është mbresëlënëse: nga The Story of Art Without Men e Katy Hessel te Rap Capital i Joe Coscarelli. Si një artiste që ka dhënë qindra intervista, ajo duket se e di mirë çfarë pyetjesh e bëjnë një intervistë të mirë dhe si t’i bëjë autorët të hapen.
Nuk është e qartë nëse ajo i shkruan pyetjet vetë — përfaqësuesit e saj nuk kanë komentuar — por ajo është gjithmonë e njohur me personazhet dytësorë dhe linjat e nëntekstit. Asnjëherë nuk kapet në befasi.
Ndoshta Dua Lipa është një intervistuese e shkëlqyer sepse lexon me pasionin me të cilin autorët shpresojnë të lexohen: e përfshirë në botën e tyre, e ndjeshme ndaj thellësisë së personazheve, e etur për të ditur më shumë. Dhe ky përkushtim është aq ngjitës, sa të bën edhe ty të duash të lexosh më shumë, më mirë dhe më thellë.
Dhe, përveç kësaj, ka shkruar edhe Houdini. Është koha që të tjerët të rrisin nivelin. Apo jo, Fallon?"