Nga lart duket si një telenovelë latine e viteve 2000: dashuri e zjarrtë, ndarje të bujshme, akuza e ribashkime që nuk vijnë kurrë pa një kthesë të re. Por kjo është historia e vërtetë dhe shqiptare e Keisit dhe Stresit, që sapo kanë “firmosur” kapitullin e tyre më të fundit – publikisht dhe pa shumë të fshehta. Sepse po, janë bashkë. Dhe jo vetëm kaq, janë edhe të pjekur. Të paktën kështu thonë.
Gjithçka nisi nga një këngë. Ose më saktë, nga një bisedë në WhatsApp.
“Pak para përfundimit të albumit, më duheshin edhe dy këngë për ta mbyllur,” rrëfen Stresi për Revista Who. “Në një bisedë me Keisin, i thashë: A e sheh të kemi prapë një të ardhme bashkë? dhe ajo më tha: Eh, ka ikur koha jonë.”
Një frazë që për shumicën do të ishte një pikë përmbyllëse. Për Stresin? Një frymëzim. Në avion për Itali, ai lindi këngën 'Sa t’kam dasht', një lirikë e ndërthurur nga mesazhet reale dhe nostalgjitë digjitale. “Kjo këngë është bazuar pikërisht në tekstet tona në WhatsApp. Prezenca e saj në klip ishte vërtet qershia mbi tortë,” shton ai.
Për Keisin, gjithçka nisi me një rikthim në Shqipëri. “U riktheva për të takuar të afërmit e mi, mes tyre sigurisht edhe Arkimedin me familjen e tij,” thotë ajo. “Ai më kërkoi të isha pjesë e videoklipit të këngës që më kishte dedikuar. Unë kam qenë dhe do të mbetem gjithmonë fansja dhe mbështetësja e tij më e madhe, ndaj, sigurisht që pranova të bëhesha pjesë e projektit të tij më të bukur (haha).”
E nuk është vetëm entuziazëm artistik. Pas këtij “pranim-propozimi”, qëndron një ndjenjë që nuk është shuar, veçse është transformuar.
“Marrëdhënia jonë sot mendoj se është shumë më e pjekur,” thotë Keisi. “Është e bazuar në respekt, mirënjohje dhe mbështetje… nëse dikur kishim një dashuri posesive dhe prisnim reciprocitet, sot mendoj se është një dashuri pa kushte dhe e paimponuar.”
Edhe Stresi, në stilin e tij karakteristik, nuk i kursen fjalët e mira. “Shoh një Keisi tjetër në sjellje. Ajo ka qenë gjithmonë perfekte, por tani është rritur dhe është pjekur shumë. Më surprizon çdo ditë e më shumë. Jam shumë kurioz. Gjithmonë i kam shprehur respektin dhe mirënjohjen publikisht.”
Por nuk ka çift pa tensione – as në skenë, as pas kamerës. “Në fakt, jam acaruar shumë se po e shihnin shumë meshkujt, haha,” rrëfen ai, duke shtuar se u tërhoq për pak nga xhirimet për të ruajtur profesionalizmin.
E ndërkohë Keisi, në mënyrën më të saj, bënte gjithçka për të ndihmuar. Në një nga skenat e klipit, i duhej të dukej më e gjatë. “Vetëm kur kthej kokën, e shoh me tullë në dorë,” qesh Stresi. “I thashë: Po ka njerëz të tjerë për këtë punë, por ajo donte në çdo rast të më lehtësonte dhe të ishte një ndihmë.”
Në një botë ku çiftet bëjnë “soft launch” me një story dhe ndahen me një unfollow, Keisi dhe Stresi po luajnë ndryshe. Po rikthehen publikisht, duke mos fshehur as nostalgjitë, as përplasjet, as detajet që i bëjnë njerëzorë.
Sepse ndoshta dashuria e vërtetë nuk është ajo që zgjat gjithmonë, por ajo që ka kurajën të rikthehet.