Prokuroria italiane ka kërkuar zhvillimin e një gjyqi penal ndaj 20-vjeçarit shqiptar Andrea Kovaçaj, i cili akuzohet për vrasje në rrugë pas një ngjarjeje tragjike që ndodhi më 20 janar të vitit të kaluar në Cimadolmo, pranë Trevisos.
Sipas akuzës, Kovaçaj po drejtonte automjetin e tij në një parking afër fushave sportive, ndërsa në kofanon e makinës qëndronte 19-vjeçari Lorenzo Pjetrushi. Gjatë lëvizjes, e cila zgjati rreth 50 metra me një shpejtësi 15-20 km/h, viktima rrëshqiti dhe ra në tokë. Në atë moment, sipas prokurorisë, Kovaçaj nuk ndaloi dhe e shtypi me makinë, duke i shkaktuar plagë të rënda që i morën jetën në spital në Treviso pas nëntë ditësh në terapi intensive.
Zëvendësprokurorja Barbara Sabattini e konsideroi veprimin si vrasje në rrugë, duke theksuar se Kovaçaj ka pasur përgjegjësi direkte për lejimin e qëndrimit të rrezikshëm të Pjetrushit në kofanon e makinës. Policia e San Polo di Piave ka sqaruar se atë mbrëmje një grup të rinjsh po festonin ditëlindjen e kushëririt të viktimës dhe kishin planifikuar të shkonin në një klub nate. Para nisjes, Pjetrushi ndezi një cigare dhe hipi mbi kofanon e makinës në lëvizje, duke imituar një sfidë të njohur në TikTok.
Pas incidentit, të rinjtë e pranishëm tentuan të ndihmonin viktimën që kishte ngecur poshtë makinës, por fatkeqësisht nuk arritën ta shpëtonin.
Prindërit e Lorenzo Pjetrushit kanë kërkuar që drejtësia të vihet në vend. “Nuk jemi të interesuar për dëmshpërblime financiare. Duam të dimë të vërtetën dhe të kemi drejtësi për djalin tonë,” janë shprehur ata.
Kjo ngjarje ka nxjerrë në pah edhe një tjetër fenomen shqetësues: përhapjen e sfidave të rrezikshme në rrjetet sociale, ku të rinjtë rrezikojnë jetën për pak sekonda famë.