Me shpalljen e kardinalit Robert Prevost si Papa i ri, bota katolike mirëpret Papa Leone XIV. Zgjedhja e këtij emri nuk është aspak rastësore: “Leone” është një emër me peshë historike dhe simbolike të fortë, që tregon drejtimin dhe vizionin e këtij pontifikati të ri.

Ky emër është mbajtur më parë nga 13 papë. Më i fundit ishte Papa Leone XIII, që shërbeu nga viti 1878 deri më 1903, dhe kujtohet për enciklikën “Rerum Novarum”, e cila për herë të parë trajtoi çështjet sociale dhe të drejtën e punës në epokën moderne. Ndërsa Papa Leone I, i njohur si “Magno” (i Madh), është i famshëm për forcimin e autoritetit të papatit në shekullin V dhe për ndalimin e Atillës në hyrje të Romës.

Sipas Dennis Doyle, teolog dhe profesor në Universitetin e Dayton, “emri që zgjedh një papë zbulon shpirtin, drejtimin dhe vizionin e shërbimit të tij”. Kështu, përmes emrave të paraardhësve, mund të kuptojmë frymën që Papa Leone XIV dëshiron të sjellë: nga njëra anë autoriteti doktrinar dhe politik i Leone I, dhe nga ana tjetër angazhimi social dhe reformat e moderuara të Leone XIII.

Zgjedhja e emrit papnor nuk rregullohet nga ndonjë normë zyrtare. Është një vendim personal, por me domethënie të thellë. Për teologët dhe historianët, ai përfaqëson një program të tërë në një fjalë të vetme. Kur Jorge Mario Bergoglio u bë Papa Françesku, ai zgjodhi emrin e Shën Françeskut të Asizit, simbol i varfërisë, përulësisë dhe dashurisë për krijimin. Po ashtu, Papa Benedikti XVI nderoi si Benediktin XV, papë i paqes gjatë Luftës së Parë Botërore, ashtu edhe Shën Benediktin e Nursisë, themeluesin e monakizmit perëndimor.

Në histori, disa emra papnorë janë përsëritur shpesh, duke shënuar trashëgimi shpirtërore të dashura ose misione që papët kanë dashur të ringjallin. Më i përdoruri është Gjon (23 herë), pasuar nga Benedikti dhe Gregori (16 herë secili), Klementi (14), Leone (14, përfshirë Papa Leone XIV), Inoçenti (13) dhe Piu (12).

Megjithatë, jo të gjithë papët kanë ndryshuar emrin. Nga 266 papë, vetëm 129 e kanë bërë këtë. Kjo praktikë u bë normë rreth shekullit XI, veçanërisht nga papët me origjinë gjermane, që zgjidhnin emra të peshkopëve të parë për të theksuar vazhdimësinë me Kishën e hershme. Vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, emrat filluan të përdoreshin me qëllim të qartë programor.

Është interesante që disa emra biblikë shumë të përhapur në devocionin katolik nuk janë zgjedhur kurrë nga ndonjë papë, si Jozefi, Jakobi dhe Andrea. Por mungesa më e theksuar është ajo e emrit Pjetër – asnjë papë në historinë dy mijëvjeçare të krishterimit nuk ka guxuar të marrë emrin e Pjetrit, peshkopit të parë të Romës. Arsyeja? Nga respekti i thellë, sepse Shën Pjetri konsiderohet i pazëvendësueshëm dhe unik.