Bill Gates do të dhurojë pothuajse gjithë pasurinë brenda 20 viteve të ardhshme, para se të mbyllë përfundimisht Fondacionin Gates më 31 dhjetor 2045.
Kur Bill dhe Melinda French Gates krijuan Fondacionin Gates në vitin 2000, synimi i tyre ishte që ai të vazhdonte punën për dekada me radhë edhe pas vdekjes së tyre, duke përdorur pasurinë e mbetur. Por tani, Gates ka vendosur të mos presë aq gjatë.
Në një njoftim të fundit, miliarderi themelues i Microsoft deklaroi se planifikon të shpërndajë “thuajse të gjithë” pasurinë e tij – rreth 200 miliardë dollarë – brenda 20 viteve të ardhshme, dhe ta mbyllë fondacionin në fund të vitit 2045. Ai theksoi se “nuk dëshiron që njerëzit të thonë për të se vdiq i pasur”.
Fokusi i fondacionit në këto vite do të jetë në tre prioritete:
-Shmangia e vdekjeve të parandalueshme të nënave dhe foshnjave
-Zhdukja e sëmundjeve infektive vdekjeprurëse
-Heqjen nga varfëria e qindra miliona njerëzve në mbarë botën
Ky vendim vjen në një moment kur ndihmat shtetërore në fushat e shëndetit dhe ndihmës së jashtme janë në rënie – dhe Gates e sheh këtë si momentin e duhur për të përshpejtuar ndikimin e fondacionit të tij, duke u bërë edhe shembull për miliarderë të tjerë. Në blogun e tij, ai shpreh besim se përparimet në inteligjencën artificiale mund të rrisin ndjeshëm ritmin e progresit.
Fondacioni Gates, një nga organizatat më të mëdha filantropike në botë, ka dhuruar tashmë mbi 100 miliardë dollarë për zhvillimin e vaksinave, mjeteve diagnostikuese dhe trajtimeve për sëmundjet globale. Kjo iniciativë e re përbën angazhimin më të madh filantropik në historinë moderne.
Ndërsa Gates planifikon të dhurojë 99% të pasurisë së tij deri në vitin 2045, ish-bashkëshortja e tij, Melinda French Gates, është larguar nga fondacioni dhe ka njoftuar se nuk do ta japë pjesën më të madhe të pasurisë së saj përmes tij.