Tom Cruise ka thyer heshtjen pas më shumë se dy dekadash për të folur publikisht për ish-bashkëshorten e tij, Nicole Kidman. Në një intervistë të re për revistën britanike Sight and Sound, aktori i njohur ka ndarë disa fjalë për bashkëpunimin e tyre në filmin ikonik Eyes Wide Shut, të realizuar nga regjisori Stanley Kubrick në vitin 1999.

“Unë i sugjerova Stanley-t që Nicole të luante atë rol,” tha Cruise për revistën, duke shtuar: “Sepse, qartazi, ajo është një aktore e shkëlqyer.”

Kjo deklaratë shënon herën e parë që Cruise flet për Kidman në media që nga viti 2002. Çifti, të cilët qëndruan të martuar për më shumë se 10 vite dhe rritën së bashku dy fëmijë të adoptuar — Bellën dhe Connorin — u divorcuan në vitin 2001, me një deklaratë zyrtare që përmendte “karriera të ndryshme që i mbanin vazhdimisht larg njëri-tjetrit” si arsye të ndarjes.

Në intervistën e tij të fundit, 63-vjeçari përmendi edhe kujtime nga periudha e xhirimeve të Eyes Wide Shut, ku bashkë me Kidman kishin ndarë një karvan. “Stanley na thoshte: ‘S’keni secili një karvan. Nuk kemi buxhet për këtë.’ Tom kishte një hapësirë më të vogël sepse luante Minesweeper dhe drejtonte disa gjëra,” ka kujtuar Kidman në një intervistë të mëparshme për Los Angeles Times.

Nicole Kidman, e cila fitoi Oscar-in për rolin e saj në The Hours në vitin 2003, është aktualisht e martuar me këngëtarin Keith Urban dhe ka dy vajza me të. Ajo ka folur me kujdes për periudhën e martesës me Cruise, ndërsa vitin e kaluar pranoi se regjisori Kubrick, në njëfarë mënyre, ishte frymëzuar nga marrëdhënia e tyre gjatë realizimit të filmit.

“Ai bënte shumë pyetje. Kishte ide që e tërhiqnin. Më kujtohet që thoshte: ‘Trekëndëshat janë të vështirë. Duhet të ecësh me kujdes.’”

Cruise ndërkohë është kujdesur të ruajë një profil të ulët për çështjet personale. “Ajo është nëna e fëmijëve të mi dhe i uroj gjithmonë të mirat,” kishte deklaruar ai për Vanity Fair në vitin 2002.

“Ndonjëherë, duhet thjesht të përballesh me realitetin. Jeta ndodh, dhe ti bën gjithçka që mundesh… derisa vjen një moment ku duhet të ecësh përpara.”