Pas një ribashkimi të shumëpritur me të atin, Billy Ray Cyrus, artistja shumë e dashur për publikun, Miley Cyrus, ka thyer heshtjen mbi marrëdhënien e saj me të dy prindërit, në një moment kur thashethemet për konflikte familjare kishin marrë dhenë.

32-vjeçarja ndau ndjesitë e saj në rrjete sociale, pas pjesëmarrjes në ditëlindjen e vëllait të saj Braison Cyrus, ku ishte i pranishëm edhe babai i tyre, Billy Ray.

“Rrallë komentoj për thashetheme, por unë dhe mamaja ime jemi shumë të lidhura që ndonjë gjë të na ndajë,” shkroi Miley më 10 maj në Instagram Stories. “Ajo është shoqja ime më e mirë. Si shumë nëna, nuk e di si funksionon telefoni dhe rastësisht më kishte hequr nga followers në Instagram – një keqkuptim i thjeshtë dhe aspak interesant.”

Kjo deklaratë erdhi pasi fansat vunë re që Tish Cyrus dukej se nuk e ndiqte më të bijën në Instagram. Vetë Tish e qartësoi menjëherë se bëhej fjalë për një aksident teknologjik dhe shtoi në rrjetin X: “Nuk do ta hiqja kurrë Mileyn. Marrëdhënia jonë është po aq e fortë sa ka qenë gjithmonë.”

Ndërkohë për marrëdhënien me Billy Ray Cyrus, Miley pranoi se nuk ka qenë gjithmonë e lehtë.

“Ne kemi pasur sfidat tona ndër vite,” tha ajo. “Por tani që jam në të tridhjetat, familja është prioriteti im mbi çdo gjë tjetër. Jam në paqe që urat janë rindërtuar dhe koha ka shëruar shumëçka. Jam mirënjohëse për shëndetin dhe dashurinë që rrjedh në familjen time.”

Këto fjalë vijnë vetëm disa ditë pas postimit të një fotografie nga Billy Ray me vajzën e tij Miley, partnerin e saj Maxx Morando dhe djalin Braison, në fermën e tij në Tennessee.

Ky ribashkim familjar vjen pas muajsh tensionesh dhe komentesh të ndryshme nga fëmijët e Billy Ray. Djali i madh, Trace Cyrus, pati shprehur hapur shqetësimet për gjendjen emocionale të të atit në fillim të vitit, duke u shprehur: “Bota të ka lodhur, dhe kjo është e qartë për të gjithë, përveç teje.”

Megjithatë, muajt e fundit kanë shënuar një afrim të ndjeshëm mes anëtarëve të familjes Cyrus. Vajza më e vogël, Noah Cyrus, publikoi një foto me të atin në shkurt dhe shprehu mbështetje për projektin e tij muzikor, ndërsa në mars, Billy Ray i përgëzoi publikisht Noah-n dhe Miley-n për projektet e tyre të reja, duke shkruar: “Jam shumë krenar për ju të dyja. Po qaj teksa e shkruaj këtë. Faleminderit Zot që nuk më shihni. Argëtohuni dhe jini të lumtura! Me dashuri, Babai.”