Disa e konsiderojnë si regjisorin më të madh, të parin dhe të vetmin.
Të tjerë duket se e kanë të vështirë ta kuptojnë.
Gazetari: A mendon se njerëzit të kuptojnë?
Bresson: Nuk e di nëse më kuptojnë, por a po flasim për filmin apo për mua? Nëse flasim për filmin, atëherë... le të fillojmë me filmin. Unë do të doja më shumë që njerëzit ta ndienin filmin përpara se ta kuptonin atë. Do të preferoja që të zgjonte ndjenja, më shumë se mendim.
Gazetari: Çfarë doje të ndjenin njerëzit me filmin Hajduti i xhepave?
Bresson: Më shumë sesa të tregoja një histori, doja të përcillja atmosferën që rrethon një hajdut — atë ndjesi të veçantë që të bën të ndihesh në ankth dhe në siklet.
Gazetari: A ke takuar ndonjëherë ndonjë hajdut?
Bresson: Mendoj se po, por zakonisht e kupton vetëm kur të kanë vjedhur.
Gazetari: Dhe nuk ndjeve asgjë në atë moment?
Bresson: Po, ndjeva. Më kujtohet një herë, në fshat. Isha në dhomë me dikë që më kishte ftuar dhe me një person të tretë. Ne të dy ndjenim që ky person ose do të na vidhte, ose tashmë na kishte vjedhur.
Gazetari: Çfarë ju bëri ta mendonit këtë?
Bresson: Ishte një ndjesi shumë misterioze, e papërkthyeshme në fjalë. Dhe kjo është ajo që doja të shprehja në film. Ajo ndjesi... dhe vetminë e tmerrshme të burgut të një hajduti.
Gazetari: Cila ishte pika e nisjes për këtë film?
Bresson: Nuk mund ta them me siguri. Por ajo vetmi — që nuk doja ta tregoja drejtpërdrejt — ka qenë me siguri një forcë shtytëse.
Gazetari: Filmi juaj nuk ngjan me shumicën e filmave të tjerë. A jeni i vetëdijshëm për këtë?
Bresson: Jo, aspak.
Gazetari: Por dihet që ju nuk jeni admirues i kinemasë së sotme. Nuk ju pëlqen ai lloj filmi i ndërtuar “bukur”. Si ju duket kinemaja sot?
Bresson: Ka disa filma që më pëlqejnë, edhe pse nuk janë realizuar sipas mënyrës sime. Ndoshta për këtë arsye shkoj më rrallë në kinema sesa dikur. Ka gjëra që më mërzisin, teknika që unë nuk do t’i përdorja kurrë. Për mua është e natyrshme të mendoj se të tjerët janë gabim, ndërsa unë jo.
Gazetari: Një karakteristikë thelbësore e filmave tuaj është refuzimi i asaj që quhet teatrale...
Bresson: Teatraliteti që përpiqem të shmang — sepse nuk është aq e lehtë — është shprehja me fytyrë, gjeste dhe efekte zanore.
Gazetari: Duket sikur jeni në kërkim të një lloj “anti-shprehjeje”. Jo vetëm që nuk doni aktrim, por edhe e shmangni realizmin. Ju “zbrazni” aktorët — ata duken edhe më pak ekspresivë se në jetën reale.
Bresson: Nuk e shoh kështu. Unë përpiqem t’i tërheq drejt automatizmit — i cili është një pjesë aq e madhe e jetës sonë të përditshme.
Gazetari: Po a mund të kuptoni pse njerëzit mendojnë se po i ktheni shpinën asaj që audienca kërkon të shohë?
Bresson: Nuk mendoj kështu. Nuk është diçka që më shqetëson. Nuk ndjej se po i kthej shpinën audiencës — dhe as se ata po ma kthejnë shpinën mua. Unë mbështetem tek përvoja ime. Pasi bëj një film, ulem në sallë me publikun dhe përpiqem të ndiej çfarë ndjejnë ata — dhe gjithashtu përjetoj ndjesitë e mia fillestare. Zakonisht, ata duken të prekur. Në fund, kuptoj se audienca ka ndjerë pikërisht atë që kam ndjerë dhe unë.
Gazetari: Pse mendoni se audienca e përjetoi më fort Një njeri që u arratis sesa Hajduti i xhepave?
Bresson: Mbase sepse historia e arratisjes është më... heroike?
Gazetarja: Dramatike?
Bresson: Jo dramatike, por sigurisht më heroike. Personazhi i të burgosurit të arratisur është më... moral?
Gazetarja: Më simpatik?
Bresson: Po. Më i aksesueshëm për shumë njerëz.
Gazetari: Të gjithë duan të arratisen. Askush nuk pranon se është hajdut.
Bresson: Historia e të burgosurit përfundon me liri. Historia e hajdutit — me burg.
Gazetari: A ndiheni në pararojë të botës së filmit?
Bresson: Nuk e di. Por besoj se filmat e së ardhmes do të largohen edhe më shumë nga teatri. Do të përdorin teknika tërësisht të ndryshme.
Gazetari: A mendoni se filmat që vlerësohen sot do të harrohen pas 20 vjetësh?
Bresson: Nuk e di. Nuk mund ta them.
Gazetari: A ndiheni vetëm?
Bresson: Ndjehem shumë vetëm. Dhe nuk është ndonjë ndjenjë nga e cila marr kënaqësi.
Burimi: https://www.youtube.com/watch?v=DVODh2lkVdc