Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka konfirmuar rikthimin e saj në një prej skenave më të dashura për publikun shqiptar, Sunny Hill Festival. Me një postim të ndarë me ndjekësit e saj në Instagram, ku numëron plot 87.4 milionë ndjekës, artistja me origjinë nga Peja bëri të ditur se do të jetë pjesë e edicionit të këtij viti të festivalit që zhvillohet në Prishtinë.
"Shihemi në Sunny Hill Festival", shkroi këngëtarja, duke ndezur entuziazmin e fansave që presin me padurim rikthimin e saj në Kosovë. Ky koncert do të jetë pjesë e turneut të saj global, ndërsa Prishtina mbetet një ndër ndalesat më të veçanta për artisten që gjithmonë ka treguar krenarinë për rrënjët e saj shqiptare.
Sunny Hill Festival, i themeluar në vitin 2018 nga Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjin Lipa, është kthyer në një nga ngjarjet më të mëdha kulturore në rajon. Qëllimi i tij ka qenë gjithmonë i qartë: të promovojë kulturën dhe muzikën shqiptare dhe të sjellë emra të njohur të muzikës ndërkombëtare në zemër të Kosovës.
Edicioni i sivjetmë i festivalit do të mbahet nga 1 deri më 3 gusht 2025, dhe pritet të sjellë jo vetëm emocione të mëdha, por edhe energjinë unike që vetëm Dua Lipa di ta sjellë në skenë. Fansat tashmë kanë filluar numërimin mbrapsht për tri netët magjike të muzikës, artit dhe krenarisë shqiptare.