Mbrëmja që bashkon Evropën përmes muzikës, emocioneve dhe spektaklit, çel sonte siparin e edicionit të 69-të të Eurovision Song Contest, që këtë vit mbahet në Bazel të Zvicrës. Pas fitores së bujshme të artistit Nemo me këngën “The Code” në Malmo, është radha e Zvicrës për të pritur festivalin më të ndjekur muzikor të kontinentit.

Spektakli nis në orën 21:00 në arenën madhështore St. Jakobshalle, ku prezantueset Hazel Brugger, Michelle Hunziker dhe Sandra Studer do të drejtojnë mbrëmjen e parë gjysmëfinale.

37 shtete janë në garë këtë vit, për të fituar zemrat e publikut dhe të jurisë ndërkombëtare, ndërsa Shqipëria përfaqësohet nga “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjerm”, një performancë që premton ritëm, stil dhe identitet.

Shqipëria ngjitet sonte në skenë me një performancë që pritet të jetë ndër më të komentuarat, si për stilin unik muzikor të Shkodra Elektronike, ashtu edhe për mesazhin që përcjell. Me një konkurrencë të fortë përballë, grupi shqiptar synon të sigurojë një vend në finalen e madhe që do të mbahet më 17 maj.

Entuziazmi i fansave shqiptarë është në kulm, me shumë prej tyre që kanë udhëtuar drejt Bazelit për të ndjekur nga afër garën, ndërsa mbështetja në rrjete sociale është më e zjarrtë se kurrë.

Krahas emocioneve të mëdha, ky edicion sjell edhe disa ndryshime: Mali i Zi rikthehet në garë pas një mungese dyvjeçare, ndërsa Moldavia është tërhequr për arsye financiare.

Ndërkohë, si çdo vit, Pesëshja e Madhe – Gjermania, Franca, Italia, Spanja dhe Britania e Madhe, së bashku me vendin mikpritës, Zvicrën, janë të kualifikuara automatikisht në finale.

Pjesa tjetër e shteteve do të përballet në dy netë gjysmëfinale – sonte dhe të enjten më 15 maj – për të siguruar biletën për natën më të madhe të muzikës europiane.