Pas aventurës së bujshme në edicionin e katërt të 'Big Brother VIP Albania', Gerta Gixhari është gati për një tjetër kapitull televiziv, këtë herë si moderatore në 'Top Channel'.

Burime për 'Vip Magazine' bëjnë me dije se gazetarja e njohur do t’i bashkohet panelit të emisionit të famshëm “Goca dhe Gra”, duke lënë pas bashkëpunimin me RTSH-në dhe nisur një sfidë të re në një nga platformat më të mëdha televizive në vend.

Pas daljes nga shtëpia e BBVA-së, ku arriti deri në gjysmëfinale, Gerta ishte kthyer në një prej emrave më të komentuar të sezonit. 

Tashmë ajo rikthehet në ekran, jo më si lojtare në një reality show, por në rolin që e karakterizon më shumë: atë të gazetares dhe moderatores.

Nuk dihet ende se kush do ta plotësojë panelin përkrah Gertës këtë sezon. Nga formati i mëparshëm, Einxhel Shkira pritet të mos jetë pjesë e këtij edicioni, pasi ndodhet në pritje të ëmbël dhe ka paralajmëruar një pauzë të re nga ekrani.