Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë sot në një konferencë për shtyp ku ka shpallur mosnjohjen e zgjedhjeve të 11 majit, duke ngritur akuza të rënda për manipulim dhe ndërhyrje të krimit të organizuar në procesin elektoral.
Berisha deklaroi se zgjedhjet janë diktuar nga krimi dhe bandat e lidhura me qeverinë, që sipas tij kanë qenë aktive në 10 qarqe, 20 bashki dhe kanë patronazhuar 30 deputetë të mazhorancës. “Zgjedhjet e 11 majit ishin akti më flagrant i kapjes së votës nga krimi,” – tha ai.
Sipas Berishës, këto ishin zgjedhjet me blerjen më masive publike në të gjithë historinë e vendit. Ai foli për zarfe me 100 euro që janë shpërndarë në mënyrë të organizuar në disa zona të vendit. "Zgjedhjet janë sunduar nga vrasës, serial killer, trafikantë dhe dhunues," – theksoi ai me tone të ashpra, duke pretenduar se strukturat kriminale kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin.
Berisha njoftoi se më 16 maj, ora 17:00, në Tiranë do të mbahet një protestë masive e Partisë Demokratike, për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve. Protesta përkon me datën kur në kryeqytet do të zhvillohet Samiti i Komunitetit Politik Evropian (KPE), ku priten liderët më të rëndësishëm të kontinentit.
Megjithatë, ish-kryeministri garantoi se protesta do të jetë paqësore, duke theksuar se “nuk do të ketë asnjë incident që të cënojë qoftë edhe në përmasën më të vogël sigurinë e liderëve europianë.”
I pyetur nga gazetarët nëse luftën për votën e lirë do ta udhëheqë vetë apo do t’i hapë rrugë një lidershipi të ri, Berisha la të kuptohet qartë se nuk ka ndërmend të largohet nga drejtimi i partisë. Me një qëndrim të vendosur, ai nënkuptoi se do të vazhdojë të udhëheqë PD-në në këtë betejë politike.