Në një botë ku gjithçka ndodh “live” dhe fëmijët bëhen shpesh protagonistë të postimeve tona të përditshme, gjithnjë e më shumë prindër po ndalen për të reflektuar: A është vërtet e nevojshme, apo edhe e drejtë, të ndajmë imazhe dhe momente të jetës së fëmijëve tanë në rrjetet sociale?

Moderatorja e njohur Klea Huta, në një intervistë të fundit për emisionin “Canape”, ka ndarë një mendim mbi këtë temë, duke rrëfyer se vendimi për të publikuar portretin e djalit të saj, Kridit, ndoshta nuk ka qenë më i miri.

Deri 1 vit e mbajtëm të izoluar, nuk ia nxorëm portretin. Por nëse do e ktheja kohën pas, nuk do e nxirrja Kridin,” – tha ajo, duke reflektuar mbi presionin publik dhe zgjedhjet që shpesh prindërit bëjnë me mendimin se po veprojnë më të mirën.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Shpend Lipa (@shpnd)

Dilema dixhitale e prindërimit: çfarë thonë studimet ndërkombëtare?
Në vendet perëndimore, termi “sharenting”, që përmbledh fjalët sharing (ndarje) dhe parenting (prindërim) , është kthyer në një fenomen të diskutuar gjerësisht. Studime të ndryshme, përfshirë një raport nga “Children’s Commissioner for England”, tregojnë se një fëmijë ka mesatarisht mbi 1,300 imazhe të publikuara në internet nga prindërit para se të mbushë 13 vjeç. Dhe kjo pa dijeninë apo pëlqimin e tyre.

Sipas ekspertëve, publikimi i pamatur i fotove mund të sjellë:

-Shkelje të privatësisë së fëmijës.
-Krijim të një identiteti dixhital pa miratimin e tij/saj.
-Rrezik për abuzim me imazhet, veçanërisht kur këto shpërndahen gjerësisht.
-Ndikim në vetëvlerësimin dhe mënyrën se si fëmija do e perceptojë veten në të ardhmen.

Çfarë mund të bëjnë prindërit?

Nuk është e thënë që rrjetet sociale duhet të jenë “fëmijë-free”. Por ndoshta duhen disa kufij të arsyeshëm:

-Mos publikoni imazhe ku fëmija është nudo apo në situata intime.
-Përdorni privatësinë e llogarisë për të kufizuar audiencën.
-Mos publikoni gjithçka: ndonjë kujtim është më i bukur kur mbetet vetëm për albumin familjar.
-Pyesni veten: a do i pëlqente fëmijës tim kjo foto kur të jetë 16 vjeç?

Rrjeti nuk harron, por fëmijët po rriten
Për një botë që ndryshon me shpejtësi, ndoshta nuk është gjithmonë e lehtë të balancosh krenarinë për fëmijën tënd me kujdesin për të ardhmen e tij digjitale. Por sinqeriteti i Klea Hutës na kujton se është në rregull të rikthejmë vendime, të mendojmë më thellë dhe ndoshta… të ndajmë më pak.

Në fund të ditës, fëmijët nuk kanë nevojë të jenë viralë për të qenë të veçantë. Ata kanë nevojë për siguri, dashuri dhe respekt për hapësirën e tyre personale, që sot, më shumë se kurrë, fillon edhe nga një “postim” më pak.