“Instagrami VS Realiteti” ka qenë gjithmonë ndër memet më të famshme, dhe jo pa arsye. Sepse, le ta pranojmë: ajo që shfaqim në feed, edhe kur duket spontane, është përzgjedhur, filtruar, ndriçuar dhe shoqëruar me ndonjë caption filozofik që jep përshtypjen se jemi të thellë, të lexuar, të mençur (ose të paktën estetikisht të kënaqshëm).
Por tani Instagrami ka hapur një dritare të re, ku realiteti futet pa shumë filtra: falë një funksioni të ri, mund të shohim lehtësisht çfarë pëlqejnë njerëzit që ndjekim. Dhe kjo ka shkaktuar jo pak habi, dyshime dhe një valë të vogël... zbulimesh personale.
Sepse ndryshe nga postimet apo story-t, të cilat shpesh reflektojnë një version të përpunuar të vetes sonë, një like gjatë një scrolling-u të pafajshëm nuk e ka gjithmonë këtë llogari pas. Është i shpejtë, impulsiv, më i sinqertë... dhe ndonjëherë befasues.
Ka raste kur një person lufton publikisht për të drejtat në story, por ndërkohë shpërndan zemra në postime të politikanëve që i rrezikojnë pikërisht ato të drejta.
Ka profile të mbushura me foto gazmore, optimiste, e buzëqeshje me diell, por që i japin like çdo fraze të trishtuar të Dostojevskit apo poezisë së dashurisë së humbur. Pastaj janë ata seriozët që duken si të dalë nga një panel filozofie, por qeshin me meme banale për derrat në metro.
Një tjetër tipik është “Charlotte 2.0”, vajza e edukuar, fine, klasike, që duket sikur ka dalë nga një serial britanik, por që në like del me plot dëshirë Samantha Jones, e lirë, e guximshme dhe pa kufij.
Ka edhe filmo-dashësit që ndajnë covers të filmave “arthouse” dhe recensa me fjalor elitar, por që s’i kursejnë pëlqimet për skeçet më të thjeshta nga filmat komedi të fundvitit.
Pastaj është çifti “perfekt”, ai që duket sikur e ka shpikur romancën e shekullit. Por në vend që të pëlqejnë poezi dashurie, ata lënë like në postime që thonë: “mos harro që edhe princi i kaltër mund të jetë një red flag me kalë”.
Ose kolegu që në story poston foto nga mbledhja e radhës, nga makina e firmës apo nga konferenca në Milano. Dhe po ai, fshehtas, lë like në çdo reel që ironizon punën toksike, punonjësit e lodhur dhe jetën monotone të zyrës.
Është edhe ai “i heshturi”: nuk poston kurrë, nuk bën story, por ka një screen time prej 13 orësh. S’ka asnjë foto, por pëlqen gjithçka që i del përpara. Është në çdo qoshe të Instagramit, por askush s’e sheh.
Sepse në fund të fundit, story-t dhe feed-i janë si versioni ynë në takimin e parë, të kuruar, të rregulluar, me aromën më të mirë. Por like-et janë versioni ynë pas dy muajsh njohjeje, kur fillojmë të çlirohemi, kur nuk ndjejmë më nevojën për të fshehur “çfarë na pëlqen vërtet”.
Po çfarë ndodh tani që këto like janë të dukshme?
A do frenohemi të japim një zemër në diçka që na bën të qeshim apo na përfaqëson, sepse kemi frikë se do na gjykojnë? A do fillojmë të bëjmë save në vend të like? Apo do mësojmë që autenticiteti shpesh gjendet jo në çfarë postojmë, por në çfarë na tërheq pa menduar gjatë?
Sepse, në fund, Instagrami mund të jetë një ekspozitë e vetes sonë ideale, por zemrat që shpërndajmë tregojnë shpesh vetveten tonë më të ndershme, me të gjitha kontradiktat dhe guilty pleasures që ajo përmban.