Pas përfundimit të rrugëtimit të tij si finalist në Big Brother VIP 4, Laert Vasili është rikthyer në qendër të vëmendjes me një intervistë në emisionin “Ndryshe” në TAR. Laerti ndau për publikun përvojën e tij brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, duke prekur sfidat emocionale, marrëdhëniet e krijuara dhe ndikimin që kjo eksperiencë ka pasur në jetën e tij personale dhe profesionale.
“Kam marrë shumë dashuri nga publiku”, u shpreh ai, duke theksuar rëndësinë që ka pasur për të qëndrimi i sinqertë me veten gjatë gjithë lojës një qëndrim që, sipas tij, i ka fituar respektin e publikut.
Në intervistën e tij, Laerti tregoi se është duke eksploruar projekte të reja artistike dhe ka një dëshirë të thellë për të sjellë “diçka ndryshe në skenën shqiptare”, duke mos e përjashtuar mundësinë e një rikthimi të fuqishëm në teatër apo kinematografi.
Një nga temat më të diskutuara gjatë kohës së tij në BBV4 ishte marrëdhënia me Valbonën, e cila u karakterizua nga një dinamikë komplekse, ku përplasjet, pëlqimi dhe mosmarrëveshjet krijuan një linjë të fortë emocionale në rrëfimin e Laertit.
“Dashuri nuk mund të them. Ka pasur një pëlqim që mbaroi”, deklaroi aktori, duke shtuar se brenda kushteve të jashtëzakonshme të një loje si Big Brother, është e vështirë të zhvillohen ndjenja të thella dhe të qëndrueshme. “Aty brenda, 10 ditë janë si 10 vjet jashtë. Aty fillon njohja, martesa, divorci, të gjitha,” u shpreh ai.
I pyetur nëse ishte faji i tij apo i Valbonës që lidhja nuk funksionoi, Laerti u tregua i qartë: “Pëlqimi nuk eci për shkak të mospërputhjes së karaktereve.” Sipas tij, luhatjet e humorit dhe përplasjet ideologjike ishin ndër faktorët që ndikuan në këtë dinamikë.