Supermodelja Bella Hadid i ka hapur zemrën publikut si rrallëherë, duke ndarë për herë të parë dëshirat e saj më të mëdha për të ardhmen, dhe ato lidhen me dashurinë, familjen dhe mëmësinë.
Në një intervistë të publikuar më 13 maj nga British Vogue, 28-vjeçarja, e cila është në një lidhje me kalorësin profesionist Adan Banuelos, ka rrëfyer se mendja e saj është plot me ëndrra për një familje.
“Familja më është kthyer në mendje çdo ditë,” u shpreh Bella. “Mezi pres të bëhem nënë.”
Derisa të vijë ai moment, Bella po shijon në maksimum kohë me mbesën e saj 4-vjeçare, vajzën e të motrës së saj Gigi Hadid dhe këngëtarit Zayn Malik, vogëlushen Khai.
“Mendoj se jam një njeri i rëndësishëm për shumë njerëz,” shtoi ajo. “Por të jem ajo që dikush mund të mbështetet vërtet, në mënyrë të qëndrueshme… kjo do të ndryshonte jetën time. Dhe mezi e pres.”
Sa i përket martesës me Adanin, Bella ka pranuar se ndonëse nuk është rritur me një vizion të qartë për martesën, ideja e të qenit nënë ka qenë gjithmonë shumë e fortë brenda saj.
“Nuk kam pasur kurrë ëndrrën e madhe për martesë,” tha ajo, “por tani ndjej që kjo është diçka që dua për veten time. Dhe besoj që do të më bënte me të vërtetë të lumtur.”
Bella dhe Adan janë parë për herë të parë bashkë në tetor 2023 në Teksas, por lidhja e tyre është mbajtur larg vëmendjes së mediave. Megjithatë, në intervistën për 'Vogue', Bella ndau detaje të veçanta për takimin e tyre të parë, një moment që, siç e përshkruan ajo, i ngjante një skene filmi.
“E pashë teksa hynte në sallë dhe ishte si një frymë ajri i pastër,” kujton ajo. “Po provoja një kapelë kaubojsi, kur ai hyri aty ku bëhen të gjitha aktivitetet. E pashë dhe thashë: ‘Ja, ky është… unë gjithmonë kam dashur një kauboj.’”
“Dhe është vërtet shumë i pashëm, më lejoni t’jua them këtë,” shtoi me buzëqeshje.
Edhe pse është një nga figurat më të famshme në industrinë e modës, Bella nuk e fsheh aspak vlerësimin e saj për modestinë, përkushtimin dhe natyrën punëtore të Adanit.
“Ai punon për familjen e tij, për klientët e tij dhe për të ndërtuar një shtëpi e një familje të ardhmen,” u shpreh ajo.
Duket se për Bella Hadid, kapitulli i radhës nuk është më në pasarela, por në ndërtimin e një jete ku dashuria, qetësia dhe mëmësia janë në qendër të gjithçkaje.