Procesi gjyqësor kundër reperit dhe producentit të njohur amerikan Sean “Diddy” Combs ka hyrë në një fazë të re pas dëshmisë tronditëse të ish-të dashurës së tij, këngëtares Casandra Ventura, e njohur me emrin artistik Cassie. Pas përzgjedhjes së jurisë dhe dëshmive të para në sallën e gjyqit, Cassie ka dëshmuar të martën, më 13 maj 2025, para trupit gjykues një histori dhune, frike dhe abuzimi sistematik.

Në deklaratat e saj, të raportuara nga agjencia Associated Press, Cassie ka pohuar se Diddy e “rrihte pa mëshirë” dhe e detyronte të kryente marrëdhënie seksuale “të neveritshme” me të panjohur, gjatë orgjive që zgjasnin disa ditë dhe që ai i quante “freak off”, ku gjithçka shoqërohej nga përdorimi i drogës.

Duke folur me zë të dridhur dhe emocione, këngëtarja ka përshkruar marrëdhënien e saj me Combs, që filloi rreth vitit 2005, kur ajo ishte vetëm 19 vjeç dhe ai 37, si një lidhje e shkatërruar nga dhuna dhe nga një mani kontrolli dhe voyeurizmi. “Ai e kontrollonte të gjithë situatën”, tha ajo, duke nënvizuar se ishte ndjerë si objekt, e zhveshur nga çdo ndjenjë sigurie apo vullneti të lirë.

“E duroja gjithçka sepse isha e dashuruar. Nuk isha në gjendje të thoja ‘jo’, ai më kontrollonte në çdo aspekt të jetës sime”, rrëfeu Ventura. Ajo tregoi se kishte tentuar të largohej nga situata e rëndë në të cilën ndodhej, por kjo ishte ndëshkuar me dhunë fizike të drejtpërdrejtë.

Duke folur për përvojat e saj gjatë asaj periudhe, Cassie tha gjithashtu se kishte parë armë zjarri në banesat e Diddy-t dhe në një rast ishte detyruar të mbante një prej tyre për llogari të tij. Në lidhje me episodet e “freak off”, ajo tregoi se shpesh hotelet ku organizoheshin këto orgji seksuale kishin kërkuar dëmshpërblime për prishjet në ambiente, e madje në disa raste ishte dashur edhe ndërhyrje restauruese.

Dëshmia e saj e parë, megjithëse e fuqishme, pritet të pasohet nga një tjetër seancë sot, ku Cassie do të pyetet sërish kësaj here edhe nga avokatët mbrojtës të Diddy-t. Provat dhe dëshmitë e ardhshme pritet të jenë vendimtare për ecurinë e këtij procesi që ka ngjallur jehonë të gjerë mediatike dhe një reagim të fortë nga opinioni publik në Shtetet e Bashkuara.