Pas fitores, mbrëmjen e djeshme kryeministri Edi Rama mbajti fjalimin e tij në Sheshin Skënderbej, përpara mbështetësve që kishin mbushur zemrën e kryeqytetit. Në këtë moment të rëndësishëm politik, ai zgjodhi të ndajë jo vetëm falënderimet e zakonshme, por edhe copëza nga jeta e tij personale.
Rama kujtoi prindërit e tij të ndarë nga jeta, Anetën dhe Kristaqin, të cilët, siç tha ai, “edhe këtë herë u tërhoqën heshtur nga varri në fushatën e mosozotshme nga mosozotshmit.” Kryeministri kërkoi ndjesë publike për përdorimin e emrave të tyre në mënyrë djallëzore nga kundërshtarët politikë, duke shprehur shpresën se janë ende krenarë për të dhe për Shqipërinë që po ndërtohet.
Rama i drejtoi një falënderim të thellë Reas dhe Gregut për jetën e tyre larg çdo interesi pushteti dhe për mënyrën dinjitoze me të cilën kanë përballuar sulme të padrejta, veçanërisht ndaj vajzës së tij.
“Unë jam sot shumë krenar për Rean dhe për Gregun që vazhdojnë të mos na shkaktojnë asnjë dhimbje koke, që vazhdojnë jetën jashtë çdo marrëdhënie në konflikt interesi, duke duruar, sidomos Rea, agresione verbale,” – tha Rama.
Më tej kreu i qeverisë i adresoi fjalë të veçanta bashkëshortes së tij, Linda Ramës, duke e quajtur “opozita e vetme që nuk ka mundur dot kurrë”.
“Shyqyr që më pranon në qeverinë e unitetit, Linda Ramën, mamanë e paepur të Zahos, nënën kryelartë të Reas dhe shoqen besnike të Gregut. Linda është shtylla që i mban të katërt këndet e këtij tavani, shumë faleminderit grua,” – tha Rama.
Ai nuk harroi as më të voglin e familjes, Zahoa, të cilin e përshkroi si “baterinë me energji diellore” që i rri gjithnjë pranë, duke i falur kështu një ton lozonjar një fjalimi që rridhte ndërmjet politikës dhe ndjenjës njerëzore.