Reperi amerikan Chris Brown është arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar nën akuzën për një sulm të dyshuar me shishe në një klub nate në Londër.

Hetuesit nga Policia Metropolitane e arrestuan muzikantin 36-vjeçar pak pas orës 2 të mëngjesit në Hotelin Lowry në Manchester.

Ai u ndalua nën dyshimin për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore ndaj producentit muzikor Abe Diaw, në klubin Tape në Mayfair, në shkurt 2023.

Sipas “The Sun”, Brown u arrestua pak pasi kishte mbërritur në Aeroportin e Manchesterit me avion privat, të mërkurën në mesditë. 

Më pas, hetuesit e Metropolit udhëtuan drejt Manchesterit ku e arrestuan në hotelin me pesë yje.

Një zëdhënës i policisë deklaroi:

Një burrë 36-vjeçar u arrestua në një hotel në Manchester pak pas orës 02:00 të mëngjesit të enjten, më 15 maj, nën dyshimin për lëndim të rëndë trupor.
Ai është dërguar në paraburgim ku ndodhet ende. Arrestimi lidhet me një incident të ndodhur në një lokal në Hanover Square më 19 shkurt 2023.
Hetimet po drejtohen nga njësia hetimore e Komandës Qendrore Perëndimore.”

Sulmi në klub nate
Abe Diaw pretendon se Brown e ka sulmuar në klubin Tape, gjatë një nate të organizuar nga “Dirty Martini”.

Ai pohon se Chris Brown e ka goditur në kokë me një shishe, më pas e ka grushtuar dhe shkelmuar ndërsa ai ndodhej në dysheme.

Producenti i tha më herët “The Sun on Sunday”:

“Më goditi në kokë dy ose tre herë. Ishte një moment i tmerrshëm.”

Diaw u dërgua në spital dhe pas daljes prej andej kishte nevojë për karrige me rrota dhe paterica për të ecur.

Chris Brown ka të planifikuar 10 koncerte të tjera në Britani muajin e ardhshëm, por turneu mund të rrezikohet për shkak të hetimit policor.

Gjatë turneut, Brown pritej të performonte dy net në stadiumin Co-Op Live në Manchester, përpara se të shkonte në Cardiff, në stadiumin Principality.

Më pas, këngëtari kishte planifikuar një koncert të madh në stadiumin e Tottenham Hotspur në Londër, përpara se të zhvendosej në Birmingham, Glasgow dhe Dublin.