Në skenën e madhe të 'Eurovision', në gjysmëfinalen e dytë, ndodhi diçka që i dha festivalit një peshë më të madhe se vetëm muzikore. Në natën e dytë gjysmëfinale, ndërsa përfaqësuesi i Serbisë, Princ, përfundonte performancën e tij, një pankartë u shfaq në publik ku shkruhej: “Duart tuaja janë të përgjakura.”
E kapur nga kamerat menjëherë pas interpretimit të këngëtarit serb, pankarta me mbishkrim të drejtpërdrejtë u shoqërua nga një vizatim simbolik: një dorë e kuqe, shenjë e njohur e protestave studentore që kanë përfshirë Serbinë prej gjashtë muajsh. Një simbol që, në vetvete, flet për padrejtësinë, shtypjen dhe heshtjen që është refuzuar nga një brez që nuk do më të jetojë nën hijen e mohimeve.
Edhe pse ky mesazh i pankartës duket të jetë në përkrahje të protestave brenda Serbisë, nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë qenë një kujtesë për historinë e dhimbshme të rajonit, veçanërisht për krimet e kryera nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë, të cilat janë cilësuar si gjenocid nga viktimat dhe shumë zëra ndërkombëtarë. Serbia vazhdon të refuzojë njohjen e këtyre krimeve dhe nuk ka kërkuar ndjesë për masakrat e kryera ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë.
— Steve Rogers (@BelgradeEagle) May 15, 2025