I ftuar në TAR, Stresi foli për karrierën e tij, planet e afërta muzikore dhe sigurisht, si gjithmonë kur bëhet fjalë për Stresin, për politikën dhe raportin e tij me Keisin.
I pyetur për humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit, Stresi foli me një pasion që shkon përtej kalkulimeve politike: “Unë nuk vuaj për pushtet ekonomik. Kam lindur në internim, mamaja ime ka vuajtur nga regjimi... Besnikëria është monedha ime. Nuk e shes për 1 mijë vjet.”
Stresi nuk i shmanget politikës, por as nuk e vë mbi artin. Për të, muzika mbetet primare dhe angazhimi politik është një zgjedhje shpirtërore, jo një marrëveshje për përfitime:
“Nuk kam hyrë në politikë për përfitim, por sepse besoj. Unë nuk ndryshoj krah për interesa. Politika për mua është hobi.”
Lidhur me 'konkurrencën' e vetme që ekziston tani mes tij dhe Noizyt, Stresi tha: “Kishim vënë një bast me Noizyn, pas zgjedhjeve ia dhashë 100 euro. Por ishalla m’i kthen prapë, se kurrë nuk i dihet!”
Në mes të shumë pyetjeve, një temë që gjithmonë tërheq vëmendje është marrëdhënia e tij me Keisin. Edhe pse nuk hyri në detaje, Stresi u tregua i qartë në një gjë: çdo gjë që ka ndodhur, është pjesë e një historie personale që ai tashmë e ka vendosur në paqe me veten.