Një “treshe jo romantike” po përbën aktualisht një nga situatat më të tensionuara në Hollywood. Sipas People, Gigi Hadid po distancohet nga mikja e saj e ngushtë Blake Lively, për shkak të marrëdhënieve të tensionuara të kësaj të fundit me Taylor Swift, një tjetër mikeshë shumë e afërt e supermodeles.
Një burim pranë Hadid ka treguar:
“Gigi ndihet shumë keq që një nga miket e saj të ngushta është përfshirë në një dramë ligjore kaq të madhe,” – u shpreh ai, pas lajmit që Taylor Swift është thirrur si dëshmitare në betejën ligjore mes Blake Lively dhe aktorit Justin Baldoni.
Një tjetër burim ka shtuar:
“Gigi është shumë më e afërt me Taylor dhe e ka marrë anën e saj në këtë situatë. Nuk do të përfshihet në dramë, por po e mban distancën nga Blake – megjithëse ende e konsideron mike.”
Ndërkohë, një burim i tretë konfirmon se raporti mes Swift dhe Lively është “ndalur” përkohësisht, pasi këngëtarja nuk dëshiron të ketë aspak lidhje me këtë konflikt.
“Ato po marrin pak hapësirë nga njëra-tjetra,” – tha burimi. “Por nuk do të thotë se nuk janë më mike.”
Çfarë ndodhi mes Blake dhe Taylor?
Sipas raportimeve nga Page Six, përfshirja e Swift në këtë çështje nisi kur ajo u thirr si dëshmitare në procesin që Lively nisi kundër Baldoni-t, bashkaktorit dhe regjisorit të filmit 'It Ends With Us'. Në një mesazh të supozuar, Blake e quante Swift si një nga “dragonjtë” e saj, një referencë jo e zakonshme në raportet e tyre miqësore.
Për më tepër, Lively dyshohet se i kërkoi Taylor të fshinte mesazhet e tyre dhe të publikonte një deklaratë mbështetëse, gjë që avokati i Baldonit e interpretoi si shantazh të mundshëm për të shmangur daljen e mesazheve private në publik. Megjithatë, gjykata i hodhi poshtë pretendimet e palës Baldoni si të papranueshme në proces.
A është krisur miqësia Gigi–Blake?
Pyetjet nisën të lindin kur Blake mungoi në festën e 30-vjetorit të Hadid, ku morën pjesë shumë personazhe të njohur, përfshirë vetë Taylor Swift. Ndonëse nuk u publikuan foto me këngëtaren, burimet konfirmuan se ajo ishte aty.
Në dhjetor 2024, Lively ngriti padi për ngacmim seksual dhe fushatë denigruese kundër Baldonit, i cili i është kundërpërgjigjur me një padi prej 400 milionë dollarësh për shpifje dhe shantazh, duke përfshirë edhe bashkëshortin e Lively, Ryan Reynolds, dhe publicisten e saj.
Gjykimi i bujshëm pritet të nisë në mars 2026, ndërsa marrëdhëniet mes personazheve të përfshirë duken më të brishta se kurrë.