Dalja e papritur e Alba Pollozhanit dhe Lim Hotit nga reality show “Ferma VIP” shkaktoi reagime të shumta dhe ngriti pikëpyetje për arsyet e largimit të tyre. Në rrjete sociale dhe portale nisën të qarkullonin zëra për një shtatzëni të mundshme, por asnjëri prej tyre nuk kishte reaguar deri më tani.

Të ftuar së fundmi në një prej prime-ve të spektaklit, Alba dhe Limi vendosën të flasin për herë të parë për raportin e tyre dhe të sqarojnë situatën pas daljes nga loja.

“I kam trinjakë, çuna. Të jenë tropojanë dhe mos jenë çuna?”, tha me ironi Alba, duke hedhur poshtë thashethemet për një shtatzëni dhe duke shfaqur humorin e saj karakteristik.

Ndërkohë, Lim Hoti konfirmoi se marrëdhënia me Albën vazhdon edhe jashtë fermës.
“Qëkur kemi dalë, jemi bashkë: kemi ngrënë bashkë, kemi pirë bashkë, kemi ardhur bashkë dhe bashkë do ikim. Jemi diku me njëri-tjetrin, po kalojmë bukur,” u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se romanca e tyre vazhdon.

Alba, nga ana e saj, u shfaq më e qetë dhe e buzëqeshur, duke sqaruar publikisht vendimin për të lënë spektaklin.
“Kur u futa në Fermë ndodhën disa gjëra në jetën time që nuk i parashikova. Fokusi im u zhvendos nga loja te diçka që për mua kishte më shumë rëndësi se çmimi apo fama,” u shpreh ajo.

Alba ishte e para që deklaroi dëshirën për t’u larguar nga loja, ndërsa vetëm disa orë më vonë, edhe Limi mori vendimin për të dalë. Në një deklaratë pas daljes, ai theksoi:
“Nuk po duroja dot më, dua të vazhdoj jetën time normale. Kam shumë përgjegjësi jashtë dhe më duhet të merrem me to.”

Gjatë qëndrimit të tyre në fermë, dyshja ka qenë në qendër të vëmendjes për lidhjen e tyre të afërt, e cila përfshiu edhe momente intime, që u komentuan gjerësisht në media.

Tashmë që janë jashtë lojës, Alba dhe Limi duken të vendosur të vazhdojnë raportin e tyre larg kamerave dhe zhurmës mediatike.