Pas valës së komenteve dhe thashethemeve që shpërthyen në rrjet pas deklaratës se i kishte shkruar Gjestit, Xheneta ka vendosur të thyejë heshtjen dhe të tregojë versionin e saj të vërtetë. Me një postim të gjatë në rrjetet sociale, ajo ka sqaruar se urimi i saj nuk kishte asnjë ngarkesë emocionale apo qëllim romantik.

“Po e shoh që, si gjithmonë, fjalët e mia po shtrembërohen dhe po nxirren nga konteksti,” – shkruan Xheneta, e cila thekson se bëhej fjalë vetëm për një urim të sinqertë në lidhje me suksesin e këngëtarit dhe asgjë më shumë.

Ajo është e prerë në qëndrimin e saj: nuk ka ndjenja të fshehura, nuk ka prapavijë, dhe nuk ka vend për interpretim emocional. “Nëse takohemi në rrugë, të mos sillemi me siklet. Kjo nuk do të thotë as mall, as interes,” – shpjegon ajo.

Xheneta nuk i kursen kritikat ndaj komentuesve që, sipas saj, gjithmonë gjejnë mënyra për të keqinterpretuar çdo veprim. “Me uru thoni ‘e ka marrë malli’. Mos me uru thoni ‘ka inat’. Kursesi me iu ra në fije!” – shkruan ajo me ironi.

Në fund të mesazhit të saj, ajo shkruan:
“Jam single, e fokusuar dhe jeta ime ecën përpara, me punë, qartësi dhe pa drama.”