Afër, por larg. Ilary Blasi dhe Francesco Totti festuan 18-vjetorin e vajzës së tyre, Chanel, në një festë të madhe që u mbajt në kështjellën Tor Crescenza, midis Corso Francia dhe Ponte Milvio, në Romë. Ish-futbollisti dhe moderatorja morën pjesë në këtë festë madhështore, ku thuhet se ishin rreth 200 të ftuar, së bashku me partnerët e tyre të rinj: në videot e publikuara në Instagram, Totti shfaqet ulur në tavolinë pranë Noemi Bocchi, ndërsa Ilary pozon në krah të Bastian Muller, i cili sipas zërave të fundit i ka propozuar për martesë.

"E përshëndetën njëri-tjetrin me ndrojtje", shkruan La Repubblica, duke cituar një burim të pranishëm në festë. Një foto të përbashkët pranë tortës në momentin e fryrjes së qirinjve? Nga rrjetet sociale duket se një moment i tillë nuk ka ndodhur, por kjo s’ka rëndësi. Chanel u pa duke buzëqeshur pranë babait të saj Francesco, ndërsa këndonin së bashku karaoke këngën Più bella cosa nga Ramazzotti. Më pas, ajo bëri një foto kujtim me mamanë Ilary, e cila kishte veshur një kostum elegant me kravatë. Një mbrëmje dashurie dhe harmonie, mes fishekzjarrëve dhe një DJ Set-i që ngriti peshë të ftuarit.

Chanel veshi dy fustane gjatë mbrëmjes, një për pjesën e parë, gjatë darkës së shtruar me shërbim nga Tenuta San Domenico, me një menu të frymëzuar krejtësisht nga Napoli, dhe një fustan më të shkurtër për momentin e tortës dhe vallëzimit përmbyllës. Ndër të ftuarit ishin edhe motra më e vogël Isabel dhe vëllai i madh Cristian, i cili shoqërohej nga e dashura e tij, Melissa Monti. Një ngjarje e paharrueshme për Chanel, e cila në fakt ka mbushur 18 vjeç disa ditë më parë, më 13 maj.

Dhe i festoi ndaras, me mamanë dhe babain. Totti i organizoi një festë të parë, duke i sjellë tortën për momentin e fryrjes së qirinjve. Ndërsa Ilary organizoi një darkë në një nga restorantet më të njohura të kuzhinës romake, Rinaldi al Quirinale. Me pak fjalë, festa në kështjellën Tor Crescenza ishte hera e parë që ish-bashkëshortët të cilët ende janë në një betejë ligjore u ritakuan në një ngjarje familjare si të ndarë. Afër, po aq sa larg.