Në një epokë digjitale ku fjalët udhëtojnë me shpejtësinë e klikimit, shqiptarët nuk kanë mbetur pas në fjalorin global të internetit. Sipas një raporti të fundit nga DataReportal, për të gjashtin vit radhazi, fjala më e kërkuar në Google nga shqiptarët është... “translate”. Një dëshirë e fortë për të kuptuar, për të përthithur gjuhë të huaja apo thjesht për të shfrytëzuar mundësitë e një bote gjithnjë e më të ndërlidhur?

Pas saj në listë renditen termat “Google”, “Albania”, “Moti” dhe “YouTube”, një miks interesash mes kërshërisë kombëtare, domosdoshmërisë së përditshme dhe argëtimit.

Në fushën e argëtimit, shijet e shqiptarëve janë gjithnjë e më të përziera. Filma si Upgraded, Culpa Mía, The Idea of You dhe Road House janë ndër më të kërkuarit në platformat online. Por njëkohësisht, klasikët e pavdekshëm si Modern Family, Grey’s Anatomy dhe Desperate Housewives vijojnë të mbajnë vëmendjen e shikuesve shqiptarë, dëshmi se nostaligjia televizive nuk zbehet lehtë, edhe në një epokë streaming-esh të pafundme.

Në janar 2025, Shqipëria numëron rreth 1.41 milion përdorues aktivë të rrjeteve sociale, që përbëjnë 50.7% të popullsisë. Një shifër e ndjeshme, por që duhet parë me kujdes, pasi mund të përfshijë llogari të dyfishta ose të pavërteta.

Facebook dhe Instagram qëndrojnë të pandryshuar me nga 1.2 milion përdorues secili, duke treguar një stabilitet të preferencave, ndërsa TikTok shënon një ulje të lehtë, nga 1.53 milion në 1.41 milion përdorues — një kthesë interesante për një platformë që dikur dominoi trendet rinore.

Ndërkohë, LinkedIn është rrjeti që shfaq më shumë potencial rritjeje, me 660 mijë përdorues aktivë, një rritje prej 80 mijë personash brenda një viti. Interesante është se 54.1% e përdoruesve të LinkedIn janë të moshës 25–34 vjeç, një tregues i qartë i përqendrimit në zhvillimin profesional dhe kërkimin për mundësi pune jashtë dhe brenda vendit.

Nga etja për përkthim, te zgjedhja e filmave romantikë dhe deri te përqafimi gjithnjë e më i madh i LinkedIn, tabloja digjitale e Shqipërisë në vitin 2025 është një reflektim i zhvillimeve sociale, kulturore dhe ekonomike që po ndodhin në sfond.

Një gjë është e sigurt: shqiptari i shekullit XXI nuk është më thjesht konsumues informacioni, por pjesëmarrës aktiv në një dialog global. Dhe me “translate” si fjalën më të kërkuar, duket se ky dialog sapo ka filluar.