Kënga më e re e Elvana Gjatës, “Lumja toka”, sapo ka dalë dhe ka bërë menjëherë bujë, jo vetëm për melodinë me motive shqiptare, por sidomos për imazhin e saj të frymëzuar nga trashëgimia kombëtare. E veshur me elementë të kostumit popullor dhe në një set të kuruar me ngjyra të forta etnike, Elvana duket sikur po i këndon tokës, rrënjëve, dhe identitetit.

Por në botën e vogël dhe të përflakur të showbiz-it shqiptar, asgjë nuk kalon pa u vënë re, veçanërisht kur bëhet fjalë për një tjetër emër të madh si Dafina Zeqiri.

Pak pas publikimit të klipit të Elvanës, Dafina ndau pa ndonjë arsye të dukshme, fragmente nga klipi i saj i vitit të kaluar “Million”, ku ajo vetë shfaqej e veshur me kostume tradicionale shqiptare, në një set vizual shumë të ngjashëm me atë që Elvana ka sjellë në “Lumja toka”.

Nuk ishte as përvjetor, as ndonjë datë e veçantë. Pra, për publikun që di të lexojë mes rreshtash, mesazhi ishte i qartë: ose Dafina po thotë se ajo e nisi këtë trend, ose po akuzon Elvanën për kopjim.


Kjo nuk është hera e parë që mes dy artisteve krijohet tension në distancë. Kujtojmë vitin 2022, kur Dafina kritikoi publikisht “pandeminë e tallavasë” në skenat live të artistëve shqiptarë, vetëm disa ditë pasi Elvana kishte kënduar në Sunny Hill Festival këngë të të tjerëve. Elvana reagoi me një story ku shkruante: “Mos u bë xheloze”. Pra, rivaliteti ka qenë aty dhe duket se nuk është shuar.

Dafina nuk ka dhënë asnjë koment publik. Por s’ka qenë nevoja. Postimet e saj janë lexuar si deklaratë: një kujtesë se ajo ishte e para që solli këtë estetikë në videoklipe. Se “kultura vizuale” që sot po pëlqehet te Elvana, ka qenë më herët pjesë e imazhit të saj. Dhe se kjo ngjashmëri nuk është rastësore.

Në anën tjetër, Elvana ka zgjedhur të flasë me një fjali të vetme:

“Si kamera m'përcjell ditë e natë.”


Një koment i shkurtër, por që i thotë të gjitha: ajo është e vëzhguar, e komentuar, e kopjuar... apo e sulmuar?