Në episodin e ri të podcastit Storie oltre le Stories, Valentina Ferragni zgjodhi të ftojë dy të ftuara shumë të veçanta: motrat e saj, Francesca dhe Chiara Ferragni. Tema që bashkoi këtë bisedë intime ishte një reflektim i fortë mbi gruan e pavarur atë që nuk kërkon leje, që ecën përpara, dhe pikërisht për këtë, shpesh tremb burrat.

Në zemër të dialogut ishin dinamikat e marrëdhënieve që prekin shumë gra, përfshirë edhe ato vetë.
“Ne të trijat e konsiderojmë veten gra të forta,” tha Valentina. “Por sipas jush, kjo i tremb burrat?”

Chiara Ferragni mori fjalën me një rrëfim personal:
“Sipas meje, të gjithë burrat thonë se duan një grua të fortë, të pavarur, që punon, që fiton mirë, që di çfarë do dhe që kërkon respekt. Por kur një grua e tillë u rri pranë, janë shumë të paktë ata që nuk ndihen të kërcënuar në egon e tyre. Vetëm këta janë burrat që vërtet vlen t’i kesh në krah.”
Ajo shtoi më tej: “Shumë njerëz pretendojnë se e duan këtë lloj gruaje, por kur e gjejnë – edhe vetëm pak – përpiqen ta bëjnë më të vogël.”

Ky rrëfim i Chiara-s është i ngjashëm me përvojat e shumë grave që, në një moment të jetës, janë gjendur në marrëdhënie që më shumë lëndojnë sesa mbështesin.
“Të gjitha kemi qenë në marrëdhënie toksike, ose me njerëz që na kanë trajtuar keq dhe për një kohë, kjo na është dukur në rregull. E kemi pranuar, madje edhe justifikuar sjelljet e tyre. Kjo më ka ndodhur mua në disa marrëdhënie, por ndodh me çdo grua, kupton?”

Kjo nuk është hera e parë që Chiara flet për marrëdhënie të vështira. Më parë, në një video në TikTok, ajo kishte reflektuar:
Në dashuri s’kam qenë gjithmonë me fat. Por gjithmonë romantike... Shpesh kërkojmë njerëz toksikë sepse truri ynë është mësuar me këtë model. Fatkeqësisht, të gjithë bëjmë gabime në marrëdhënie të lidhura me trauma, pasiguri, ose modele që i përsërisim.”

Chiara ishte kujdesur të sqarojë se këto reflektime nuk kishin të bënin me ish-bashkëshortin e saj, Fedez:
“Nuk po flas për Federicon, por për ato që dëgjoj nga shumë njerëz pranë meje dhe për marrëdhëniet e tyre.”

Në një botë ku shpesh glorifikohet vetëm suksesi i jashtëm, rrëfime si ky i Chiara Ferragni janë një kujtesë se edhe njerëzit më të dukshëm publikisht përballen me plagë të padukshme dhe kanë nevojë për zë të vërtetë, jo për fasada.