Sipas parashikimeve më të fundit sezonale të publikuara nga portali i specializuar meteorologjik Severe Weather Europe, kontinenti evropian pritet të përballet me një verë të jashtëzakonshme në vitin 2025 – më të nxehtë, më të thatë dhe potencialisht më ekstreme, veçanërisht gjatë muajve të korrikut dhe gushtit.

Edhe pse parashikimet afatgjata nuk janë gjithmonë të sakta, konsensusi mes disa prej modeleve më të njohura globale tregon një tablo të qartë: temperatura mbi mesataren sezonale, mungesë reshjesh dhe rritje të rrezikut nga valët e të nxehtit.

Stina e pranverës (mars-maj 2025) u dominua nga një presion atmosferik i lartë mbi veriperëndimin e Evropës, çka bëri që ciklonet të shmangnin zonat qendrore të kontinentit dhe të përqendroheshin në jugperëndim dhe verilindje.

Pasojë e këtij konfigurimi ishte një rritje e ndjeshme e temperaturave, të cilat në shumë zona tejkaluan mesataren sezonale. Ndërkohë, reshjet ishin të përqendruara në pjesën jugore të kontinentit, ndërsa veriu dhe veriperëndimi përjetuan kushte të thata. Këto sinjale kanë rritur shqetësimet për një verë problematike në aspektin e thatësirës.

Sipas Qendrës Evropiane për Parashikimin Afatmesëm të Motit (ECMWF), në javën e fundit të majit pritet depërtimi i një zone me presion të ulët, që mund të sjellë moti më të paqëndrueshëm, rënie temperaturash dhe reshje të dendura, kryesisht në pjesët qendrore dhe veriore të Evropës.

Ky tranzicion sinjalizon një kalim dinamik drejt verës, pas një pranvere relativisht të qetë.

Parashikimet për qershorin sugjerojnë një stabilitet relativ në pjesën qendrore dhe verilindore të kontinentit, me temperatura më të moderuara. Kjo ndodh për shkak të presionit të lartë mbi Atlantikun Verior dhe Evropën e Jugut, ndërsa presioni i ulët mbi verilindjen mund të krijojë një rrjedhje ajrore veriperëndimore, që sjell freski.

Megjithatë, Evropa perëndimore dhe jugore do të përjetojnë temperatura mbi normën sezonale që në qershor, të shoqëruara me thatësirë të zgjatur. Në të kundërt, veriu i kontinentit – përfshirë Britaninë e Madhe, Skandinavinë dhe disa pjesë të Polonisë – pritet të ketë më shumë reshje.

Sipas modeleve të ECMWF, muajt kyç të verës – korriku dhe gushti – parashikohen të jenë ndër më të nxehtit dhe më të thatët e viteve të fundit në pjesën më të madhe të Evropës.

Temperatura do të jenë dukshëm mbi mesataren, veçanërisht në zonat qendrore, jugore dhe perëndimore të kontinentit. Këto kushte do të shoqërohen me periudha të gjata thatësie dhe valë të nxehti më të forta e më të shpeshta.

Pritet që një anticiklon i fuqishëm (i njohur si “anticiklon bllokues”) të dominojë rajonin, duke devijuar ciklonet drejt veriut dhe duke lënë pjesën më të madhe të Evropës nën ndikimin e ajrit të thatë dhe të nxehtë.

Këto kushte atmosferike nuk janë vetëm çështje komoditeti – ato përbëjnë rrezik real për sektorin bujqësor, furnizimin me ujë dhe shëndetin e popullsisë. Thatësira e vazhdueshme pritet të ulë nivelet e lumenjve, të dëmtojë kulturat bujqësore dhe të rrisë rrezikun nga zjarret në natyrë.