Artan Lame është ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare, pas një ndërhyrje të vështirë në zemër. Lame ishte publicist, opinionist, studiues i historisë shqiptare dhe një veprimtar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të vendit. I lindur në Tiranë në vitin 1967, me origjinë nga fshati Qytezë i Kolonjës, Artan Lame la gjurmë si pjesë e shoqërisë civile dhe si funksionar publik.
Në vitin 2000, Lajme ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Në periudhën 2000-2002 ka qenë nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, ndërsa në periudhën 2002-2005 zëvendësministër i Territorit dhe Turizmit. Ai ka mbajtur për 6 vite detyrën si Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t (2013–2019), ndërkohë më pas mori drejtimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ku qëndroi deri në vitin 2023 dhe më pas u largua për arsye shëndetësore.
Lame ka qenë kandidat për deputet i PS-së në zgjedhjet parlamentare 2005,2009,2013. Dhe në vitet 2011-2013 anëtar i grupit të punës për hartimin e Programit të PS-së.
Në fushën e shoqërisë civile, ai ka shërbyer si Nënkryetar i Federatës së Koleksionistëve Shqiptarë dhe ka përfaqësuar Shqipërinë në organizata ndërkombëtare si “World Collectors Club” në Gjenovë dhe “Instituto degli Studi Araldici” në Milano. Gjithashtu, ai ka qenë Komisar për Shqipërinë në Panairin “IBRA ‘99” në Nuremberg.
Ai ka kontribuar në botime të ndryshme, duke përfshirë rubrikat e përjavshme “Shqipni e harrume” në revistën “JAVA” (2005-2013) dhe “Shqipni tavolinash” në gazetën “SHQIP” (2006-2013). Ai ka bashkëautor në librin “TIRANA në kartolina deri më 1944” (2000) dhe ka botuar dy vëllime të titulluar “Medaljet shqiptare (1914-1944)” dhe “Medaljet shqiptare (1945-2002)” (2010). Gjithashtu, ai ka kontribuar në librin “TIRANA, Planin, Building, Living” (2011) dhe ka bashkëautor në librin “Piramida e Tiranës” (2011).
Lame u nderua me çmimin “Book of the Year” në 2010 nga MIC London për librin “Medaljet shqiptare 1914-2002”. Në vitin 2012, u dekorua nga Presidenti i Republikës me “Medaljen e Mirënjohjes” për aktivitetet e tij në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Dosja.al