Elvis dhe Belina Pupa janë përfshirë në një skandal të përmasave ndërkombëtare, pasi autoritetet australiane i kanë akuzuar për kultivim të paligjshëm të kanabisit dhe ndërhyrje në rrjetin elektrik. Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e mediave vendase në Australi, por edhe të opinionit publik shqiptar.
Sipas dosjes së prokurorisë, hetimi është përqendruar në një pronë në zonën Ascot Park në Adelaide, ku nga data 1 janar deri më 4 prill 2025 janë zbuluar 43 bimë kanabisi. Autoritetet kanë ndërhyrë pas dyshimeve për një aktivitet të strukturuar dhe të fshehur, që përfshinte modifikime të paligjshme në rrjetin elektrik për të ushqyer ambientet e kultivimit.
Belina Pupa u paraqit këtë të martë në Gjykatën e Magjistraturës në Adelaide, por nuk ka deklaruar ende nëse pranon apo mohon akuzat. Në sallën e gjyqit, avokati mbrojtës kërkoi lehtësim të kushteve të lirimit me kusht, duke argumentuar se Pupa është sipërmarrëse ndërkombëtare dhe ka nevojë të udhëtojë për shkak të punës së saj në Shqipëri, SHBA dhe Australi.
“Ajo kalon rreth tre muaj në vit në Shqipëri, ku është e angazhuar edhe në media. Ka klientë të shumtë ndërkombëtarë dhe drejtimin e një biznesi holistik që kërkon lëvizje të vazhdueshme”, u shpreh avokati.
Prokuroria e kundërshtoi fort kërkesën, duke e cilësuar rastin si jashtëzakonisht serioz, dhe theksoi se edhe bashkëshorti i saj është i përfshirë në të njëjtën çështje dhe aktualisht është në arrati. Ai është shpallur në kërkim nga autoritetet australiane.
Në fund, gjykata vendosi që Belina Pupa të qëndrojë në liri me kusht, ndërkohë që seanca e radhës është parashikuar të zhvillohet javën e ardhshme.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale dhe mediat shqiptare, ku Pupa njihet për promovimin e një jetese të shëndetshme, qasjes alternative ndaj mirëqenies mendore dhe angazhimeve publike në tema sociale e shpirtërore. Tashmë, reputacioni i saj vihet në pikëpyetje ndërsa pritet ecuria e mëtejshme e procesit gjyqësor në Australi.