Elvis dhe Belina Pupa janë vënë në qendër të vëmendjes së mediave australiane pas ngritjes së akuzave për kultivim të kanabisit dhe ndërhyrje të paautorizuar në rrjetin elektrik.

Sipas dokumenteve gjyqësore të paraqitura në Gjykatën e Magjistraturës në Adelaide, autoritetet australiane akuzojnë Pupën për kultivimin e 43 bimëve kanabisi në një pronë në zonën Ascot Park, gjatë periudhës 1 janar – 4 prill 2025. Aktualisht, ajo nuk ka deklaruar fajësinë për akuzat që rëndojnë mbi të, ndërsa procesi gjyqësor është në vijim.

Pas publikimit të lajmit në disa media shqiptare, vetë Belina Pupa reagoi përmes një deklarate për Dritare TV, duke sqaruar se prona në fjalë është me emrin e saj, por është dhënë me qira:

“Përshëndetje Dritare TV. Bëhet fjalë për një pronë të dhënë me qira por që është me emrin tim. Gjyqi po mbahet për pasqyrimin e fakteve. Nuk mund të them asgjë më shumë, derisa çështja të mbyllet, për arsye hetimesh në radhë të parë, por edhe për të qenë e qartë për të gjithë në fund, në radhë të dytë. Ju falënderoj që më pyetët përpara se të shpërndanit një lajm të përçudnuar!”, – shkroi ajo në një mesazh zyrtar.

Belina ka ndërtuar një imazh publik si promotore e një jetese të shëndetshme dhe shpirtërore, me një komunitet të gjerë ndjekësish në rrjetet sociale. Ndaj, kjo ngjarje ka shkaktuar reagime të shumta dhe ndarje mendimesh mes ndjekësve të saj.

Procesi gjyqësor pritet të hedhë më shumë dritë mbi përfshirjen e saj reale në këtë çështje, ndërsa autoritetet australiane vijojnë hetimet për të vërtetuar përgjegjësinë e secilit të përfshirë në rastin e kultivimit të kanabisit në Ascot Park.