Në një atmosferë të mbushur me energji rinore, ide të guximshme dhe pasion për ndryshim, u përmbyll me sukses edicioni i 8-të i Re-Debate – Kampionati Kombëtar i Debatit për Shkollat e Mesme, i organizuar nga LIBURNETIK Organisation. Ky edicion i veçantë i kushtohej tërësisht temës së Ekonomisë Qarkulluese, duke e vendosur këtë koncept bashkëkohor në qendër të diskutimeve rinore për një të ardhme më të gjelbër dhe më të qëndrueshme për vendin.

Re-Debate VIII u zhvillua në kuadër të projektit “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytete të Jetueshme – EU4CELC”, një iniciativë e rëndësishme që mbështetet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ), dhe që zbatohet nga GIZ, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë.

Në këtë edicion u përfshinë 35 skuadra nga 21 bashki, u organizuan 66 debate rajonale, 70 trajnime për të rinjtë, si dhe 70 debate në nivel shkolle, për të finalizuar më pas në një javë intensive në Tiranë me 16 debate eliminatore, 8 çerekfinale, 4 gjysmëfinale dhe 1 finale të madhe kombëtare.

Finalja u zhvillua mes shkollës “28 Nëntori” nga Shkodra dhe gjimnazit “Sami Frashëri” nga Tirana, me një përballje të fortë e të argumentuar mirë, ku në fund shkolla “28 Nëntori” u shpall fituese e edicionit të tetë. Finalja e këtij edicioni nuk solli vetëm një garë për trofeun, por një përballje të thelluar idesh mbi modelet e zhvillimit ekonomik, rolin e shtetit dhe qytetarëve në tranzicionin drejt një ekonomie më të qëndrueshme. Temat si “Ekonomia Qarkulluese kundrejt Ekonomisë Lineare: Cili model është më realist në botën moderne?” apo “Emigrimi është zgjedhja më e mençur për të rinjtë shqiptarë”, që kërkoi nga debatuesit të pozicionoheshin mbi një nga sfidat më të ndjeshme të shoqërisë shqiptare, nxorën në pah jo vetëm njohuritë e të rinjve mbi modelet ekonomike, por edhe aftësitë e tyre për të lidhur çështje globale me realitetin shqiptar. Argumentet e forta, përgatitja e thelluar dhe qasjet kreative i dhanë këtij edicioni një nivel të lartë cilësor.

Në vendin e tretë u rendit shkolla “Petro N. Luarasi”, ndërsa “Harry T. Fultz” mori vendin e katërt.

Pamela Pashollari, nga gjimnazi “Sami Frashëri”, Përmet, u vlerësua me çmimin “Debatuesja më e Mirë e Edicionit”, për nivelin e lartë të prezantimit, qartësinë në të menduar dhe aftësinë për të bindur publikun dhe jurinë.

Gjatë ceremonisë përmbyllëse, Zëvendësministri i Turizmit dhe Mjedisit, z. Sofjan Jaupaj, duke u ndalur te roli i debateve në rritjen e brezit të ri, u shpreh:

“Kur shoh kaq shumë të rinj që argumentojnë me pasion për çështje si ekonomia qarkulluese, nuk mund të mos ndihesh optimist. Kam qenë edhe vetë pjesë e këtij formati si debatues në rininë time, dhe mund të them me bindje që përvoja që merr këtu të ndjek gjithë jetën.”

Në të njëjtën linjë, Andrea Ferrero, Shef i Seksionit të Operacioneve II në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, tha:

“Ajo që më bën përshtypje çdo vit në këtë kampionat, është mënyra se si të rinjtë shqiptarë i qasen temave komplekse me një nivel të lartë përgjegjësie. Janë të përgatitur, të angazhuar dhe të qartë për rolin që duan të luajnë në shoqëri. Është më shumë sesa një garë – është një shkollë demokracie.”

Ndërkohë, Christine König, Menaxhere e Programit për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytete të Jetueshme në GIZ Albania, theksoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në politikat mjedisore:

“Është inkurajuese të shohësh se çfarë ndikimi mund të ketë një debat i mirëstrukturuar tek mënyra si të rinjtë e perceptojnë të ardhmen. Ata jo vetëm që kanë kapacitet për të diskutuar për çështje si ekonomia qarkulluese, por po tregojnë se janë gati të jenë pjesë aktive e zgjidhjes.”

Në këtë finale ishte i pranishëm gjithashtu edhe z. Geron Ibrahimi, Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Rinisë (AKR), i cili theksoi rëndësinë që ka debati si një instrument edukimi dhe formimi për të rinjtë.

“Platforma Re-Debate mbetet sot një nga të vetmet hapësira të mirëfillta ku të rinjtë jo vetëm dëgjohen, por edhe mësojnë të dëgjojnë. Ky është nga të vetmet  formate që u jep të rinjve mjetet për të ndërtuar mendimin kritik dhe për të ndikuar pozitivisht në shoqëri,” – theksoi ai.

Re-Debate ka nisur për herë të parë në Shqipëri në vitin 1995, si një nismë e përbashkët e Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, Ministrisë së Arsimit dhe Peace Corps Albania, ndërsa që prej vitit 2015 ai zbatohet nga LIBURNETIK Organisation, duke u kthyer në një nga platformat më të rëndësishme kombëtare për edukimin qytetar të të rinjve.

Përtej titujve e çmimeve, ky edicion solli në qendër të vëmendjes një brez të ri që mendon, analizon, kundërshton me argument dhe propozon rrugë të reja. Brezi që ka nevojë të dëgjohet dhe që, përmes debateve si Re-Debate, po e fiton zërin që meriton.