Në një postim në rrjete sociale, këngëtarja e njohur shqiptare Fifi ka vendosur të reagojë ndaj valës së komenteve negative dhe paragjykimeve që ka marrë së fundmi, pas publikimit të një videoje me Egli Takon.
“Po shoh plot komente, plot zhgënjime, plot fake accounts që paragjykojnë lëvizjet e mia si artiste, më saktësisht si producente,” shkruan ajo, duke bërë një sqarim të drejtpërdrejtë për publikun dhe ndjekësit.
Fifi thekson se është thellësisht e angazhuar në projekte muzikore, jo vetëm si interpretuese, por edhe si producente, një rol që kërkon jo vetëm kreativitet, por edhe përkushtim të madh profesional.
Në qendër të këtij angazhimi është projekti i ri muzikor i Eglit, një artiste që Fifi po e mbështet me pasion dhe besim. Ajo thekson qartë se qëllimi nuk është që Egli të paraqitet si influencuese apo tiktoker-e, por si një artiste e mirëfilltë, me zë dhe identitet artistik.
“Nesër në orën 18:00 del projekti i ri ‘Jetë’ i saj dhe shpresoj shumë ta kuptoni punën e madhe që kemi bërë si ekip,” shkruan Fifi, duke treguar krenari për ekipin që qëndron pas projektit dhe që, sipas saj, është një “ekip gjigand me pasion për muzikë.”