Këngëtarja e madhe, Parashqevi Simaku, rrëfeu për herë të parë arsyen pse u largua nga Shqipëria. Në një intervistë për “Opinion”, ajo tregon se fillimisht udhëtoi drejt Italisë, me një pasaportë të blerë.

Nëna ime më tha, do shkoj të shoh vëllain tim në Itali, që ishte një nga këto refugjatët. Qante gjithmonë, aman tha se ti je shumë e njohur. Me mikeshën time shkova në ambasadë. Ai ambasadori italian më kishte parë gjithmonë në këto mbrëmjet që bënte partia për Krishtlindje dhe më mbante mend. I thashë të lutem…Po ti je Parashqevia, tha! Mos ki merak tha, se do e marr Dash Dervishin në telefon. Do bësh gati guest room, se isha edhe e varfër. S’kisha asnjë lekë! Dhuratë e kisha, më sollën atë makinën diplomatike. Vjen një burrë e grua nga New York-u, dhe ata donin që të argëtoheshin, të hapnin muzikë në New York. Ishin nga Dibra e Maqedonisë, burrë e grua. Erdhën dhe më blenë një pasaportë. Ishte pasapotë e blerë, kalabreze. Victoria Marini! Unë flisja italisht, dukesha si italiane”, rrëfeu Simaku.

Në 9 mars 1992, mbërriti në New York të Shteteve të Bashkuara.

“U shokova kur erdha. Gjëja e parë thoja është pse është qielli kaq i lartë, në Shqipëri ato retë i kemi si kapele. Më dukej sikur kisha shkuar në një botë tjetër. Shqiptarët këtu më donin shumë.”

Ajo tha se martesa me Robert Nofle e bëri të mos kishte më aq shumë interes për të “depërtuar” në Hollywood.

“S’kam lënë asnjë ditë pa provuar, u martova me Robertin shumë shpejt. Më iku ai interesi… Fillova të shkruaja këngë me Robertin. Në 1997-ën erdha në Shqipëri, këndova në festival.”

Për herë të fundit, në Shqipëri ka shkelur 21 vite më parë.

“Më ndërroi jetë babai, erdha me Robertin për ta përcjellë në 2004-ën. Babai im më thoshte, mos iu ndaj kismetit të parë. I thashë Robertit kërko dorën time për martesë tek babai im, që të martohemi. Ia kam premtuar babës e nanës i thashë, se jam vajzë e vetme. Babai im tha tani do vdes rehat, se qenka serioz…Se thoshte kam merak se mos të lë në rrugë. Jam martuar me adetet e Kavajës, ndërsa Roberti u ul në gjunjë, më dha unazën e diamantit”, tregoi këngëtarja e madhe.